Superiorja prodhon futbollistë të prespektivës dhe nga toka shqiptare mund të dalin yje. Problemi kryesor i futbollit tonë është padyshim ana fizike. Kur Ernest Muci do të shkonte te Legia e Varshavës, në stërvitjen e parë do të mahniste trajnerin: “Ky është Ernest Mesi”.
Më pas lojtari shqiptar nisi të qëndronte në stol dhe për këtë e kishte një shpjegim: “Është i dobët fizikisht, në shumë raste bie në tokë nga dueli me kundërshtarin dhe nuk fiton as faull”, do të shprehej asokohe trajneri i Legias.
Gjithashtu edhe për Skukën, trajneri i Metz tha se ka ende shumë punë përpara se të jetë pjesë e rëndësishme e ekipit duke lënë të nënkuptohet aspekti fizik. Po e njëjta situatë paraqitet edhe për Redon Xhixhën, pavarësisht se këta futbollistë kanë qenë të impenjuar deri në ditët e fundit në Superiore, por ritmi ndryshon shumë.
Trajneri i skuadrës së Qarabag u shpreh se Xhixha ka ende kohë për t’u përgatitur që të jetë në nivelin e duhur fizik për të qenë pjesë e skuadrës në fazën e 1/16 në Conference League kundër Gent. Për momentin shanset janë të mëdha që Xhixha të jetë pjesë e këtij dueli të rëndësishëm në Europë, por do të shihet mënyra sesi do të zhvillohet në ditët e ardhshme. Sulmuesi debutoi në minutën e 65 në kampionatin e Azerbajxhanit me Qarabag dhe shfaqi nivel të kënaqshëm. /Sport Ekspres/