Liverpuli do të luajë finalen e madhe në Champions League kundër Realit të shtunën dhe është një sfidë që pritet me emocione të mëdha sidomos nga tifozët e Liverpulit, por edhe lojtarët, pasi nuk janë mësuar me trofe, ndryshe nga Real Madridi.
Një ndër lojtarët e Liverpulit, Sadio Mane, ka kryer një gjest të bukur, sepse ka dërguar 300 fanella të Liverpulit në Senegal.
Bëhet fjalë për një dhuratë për vendlindjen e vet, Bambali, fshat me rreth 2000 banorë, të gjithë tifozët të çmendur të Liverpulit.
Ndonëse tashmë është një superstar, Mane nuk e harron vendlindjen, edhe për faktin se aty ka ende familjarët e tij, përfshirë nënën e vet.
“Ditën e finales të gjithë do të jenë para televizorëve duke parë ndeshjen, ndaj vendosa të dërgoj 300 fanella, një gjest simbolik për popullin tim. Të gjithë do të bëjnë tifozllëk për Liverpulin. Mbaj mend ende finalen ndaj Milanit në vitin 2005, nuk e ndoqa fare pjesën e dytë nga dëshpërimi, ende nuk më besohet ajo që ndodhi atëherë dhe ëndërroj ta përsëritim atë sukses”, rrëfen Mane.