Rei Manaj zuri vendin e titullarit te Specia pas shumë kohësh. Sulmuesi shqiptar u rikthye në “San Siro“ kundër Interit dhe duket se me atë çfarë ka bërë në fushë i ka lënë përshtypje të mirë trajnerit. Në konferencën për shtyp përpara duelit me Sasuolon, Tiago Mota ka folur edhe për Manajn. Tekniku i Specias është shprehur se nuk habitet nga Manaj, pasi e ndjek me imtësi në stërvitje. Ai shton se sulmuesi shqiptar përmbushi me sukses detyrat kundër Interit dhe se nëse hyn përsëri titullar i duhet të bëjë më shumë se aq, kjo për vetë faktin se është i vetëdijshëm se është i aftë ta bëjë një gjë të tillë.
“Jam i lumtur me të, por jo që nga tani. Kam 3-4 javë që e shoh shumë mirë dhe nuk më habit. Nëse stërvitesh kështu kur luan je gati. Ai pati një lojë të vështirë duke bërë një punë të mirë, individualisht dhe kolektivisht. Në fazën e sulmit luajti siç pritej, edhe sepse ne nuk shkojmë në “San Siro” për të bërë 60% zotërim topi dhe 20 goditje, por atë që bëri e bëri me mentalitetin e duhur. Ne do të shohim në ditët e ardhshme nëse ai do të jetë në njëmbëdhjetëshe apo do të hyjë për të ndihmuar ekipin të vazhdojë me nivelin që mund të japë. Nëse luan titullar, pres gjithçka që ka bërë, por edhe më shumë, sepse është i aftë për këtë. Ai duhet të provojë atë që po bën”, ka deklaruar Tiago Mota./Halit Delibashi-Sport Ekspres/