Rei Manaj ka marrë telefonatën më të rëndësishme të jetës gjatë ditës së djeshme, ndërsa u thirr në stërvitje nga ekipi i parë i Barcelonës. Tani pritet që sulmuesi shqiptar të jetë pjesë e katalanasve në përballjen që do të kenë sot në Kupë ndaj Leganesit, por edhe që të ketë minutat e tij.
Kjo pasi gjigandët spanjollë e kanë vetëm Manaj si një “9” klasik, ndërsa të gjithë të tjerët do të ishin për t’u improvizuar. Dëmtimi i Suarez dhe mungesa e gjatë e këtij sulmuesi ka bërë që Manaj të përjetoi një ëndërr të madhe, që nëse do të jetë në gjendje për të kapur në kohë dhe për të kuptuar se çfarë po ndodh, atëherë mund të zgjasë shumë.
Vetë trajneri i Barcelonës, Setien, nuk është i fiksuar për blerjen e një tjetër sulmuesi që të zëvendësojë Suarezin. Duke e ditur më së miri që prej nga erdhi, ia lë gjithçka në dorë drejtuesve, duke shprehur kënaqësinë me organikën që ka dhe kjo është sërish një hapësirë për t’u shfrytëzuar nga Manaj:
“Do të ishte interesante nëse do të na bashkohej edhe një sulmues. Por unë kam dalë nga “balta”, kënaqem edhe me këta. Jam i lumtur me organikën time, lojtarët që ne kemi dhe cilësitë e tyre. Nëse vjen një sulmues, atëherë do të ishte i mirëpritur. Nëse nuk vjen, i kemi të gjitha cilësitë për të vazhduar”, ka thënë Setien. /Sport Ekspres/