Nga Atletiko në Primera Divizion, te Malaga në Segunda. Keidi Bare zgjodhi të qëndronte në Spanjë, duke refuzuar një numër të madh ofertash nga liga të tjera të mëdha, ku mes tyre ishte edhe Hamburgu në Gjermani. Gjithçka për të luajtur rregullisht dhe për të fituar vendin e tij në Kombëtaren shqiptare. Mesfushori kuqezi foli rreth verës intensive, në një intervistë për “SuperSport”, duke konfirmuar se për shkak të “fair play financiar” te Malaga, Bare u federua me ekipin e dytë, objektivat për aventurën e re, sfidën me përfaqësuesen Shpresa në Spanjë dhe Kombëtaren “A”.
MALAGA – “Spanja më pëlqen shumë si vend dhe mendoj se këtu është futbolli më i mirë. Kam firmosur për 3 vjet me Malagan, më pëlqen shumë si qytet dhe si ekip. Për faktin se jam 21 vjeç është mundësia të më regjistrojnë te ekipi B, por mund të stërvitem dhe të luaj me ekipin e parë”.
OFERTAT – “Kishte shumë ekipe që interesoheshin, nga Hamburgu në Gjermani, nga Greqia apo nga Danimarka. Megjithatë zgjodha Malagan”.
ATLETIKO – “Më vjen shumë keq që jam ndarë nga Atletiko e Madridit, pasi kalova thuajse pesë vjet atje. Isha ambientuar me qytetin, ekipin, me shokët e skuadrës dhe me trajnerët. Megjithatë, kështu e ka futbolli. Te Atletiko është shumë e vështirë të luash, sepse ka lojtarë të klasit të lartë. Mendoj se ky kalim te Malaga është shumë i mirë për mua dhe besoj se do të tregoj vlerat e mia”.
SHPRESAT – “Spanja ka ekip shumë të fortë. Janë të gjithë lojtarë që luajnë në Primera Division, por gjithçka mund të ndodhë. Po e pres me padurim ndeshjen e përfaqësueses Shpresa në Spanjë, sepse këtu kam kaluar shumë vite”.
KOMBËTARJA – “Ka qenë një nga arsyet përse u largova nga Atletiko: Atje aktivizohesha me ekipin B dhe nuk mund të shkoja dot në Kombëtare. Për këtë vendosa të ndryshoja skuadër, për të provuar veten dhe për të arritur Kombëtaren. Me punë arrihet çdo gjë”.