Partizani ka një ndeshje mjaft të vështirë këtë fundjavë. Pas barazimit në Laç, skuadra kryeqytetase do të ndeshet me Flamurtarin. Vlonjatët kanë po aq pikë sa dhe “demat” dhe pritshmëritë për këtë sfidë janë maksimale.
Për këtë sfidë do të kthehen tifozët e Partizanit, të cilët e kanë shlyer dënimin e marrë nga Komisioni i Disiplinës pas incidenteve në Korçë. Një lajm i mirë për skuadrën që do të ketë mbështetjen e tifozerisë.
Në seancën e fundit stërvitore i vetmi që ka shfaqur probleme është mesfushori Esat Mala. Lojtari në fjalë ka pësuar një dëmtim në kavilje në ndeshjen e fundit me bardhezinjtë, por stafi mjekësor ka dhënë garanci se Mala do të jetë gati për ndeshjen me vlonjatët.
Duke nisur që nga dita e nesërme, Partizani do të grumbullohet në Elbasan. E gjitha bëhet për t’u stërvitur në fushë me bar natyral, por edhe për të punuar të qetë para sfidës me vlonjatët. Ndeshja me Flamurtarin është programuar që të zhvillohet ditën e premte në orën 19:45 në stadiumin “Selman Stërmasi” .