PSG ka projektuar emrin e Zinedin Zidanit për të marrë drejtimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm. Francezi është një trajner me mjaft përvojë, që ka arritur të fitojë 3 herë Ligën e Kampionëve me Realin e Madridit.
Pas bindjes së Mbapesë për të rinovuar me PSG-në, tashmë Makron është kthyer nga Zidani. Presidenti i Republikës së Francës ka lënë mënjanë për një moment politikën dhe është drejtuar nga futbolli, të cilin e sheh si një mjet mjaft të fuqishëm për të ngritur lart emrin e shtetit që ai udhëheq. Makron ka dhënë një mesazh të qartë për ish-mesfushorin e “gjelave“ për mikrofonin e “RMC Sport“, duke shprehur hapur dëshirën për ta parë në rolin e trajnerit në Ligën 1.
“Unë nuk kam folur me Zinedin Zidanin, por kam admirim të jashtëzakonshëm për të si lojtari dhe trajner. Ne duam shumë që në kampionatin francez të kemi një sportist dhe trajner të këtij talenti që mundi të rikthejë tre kupa të mëdha që i lakmojmë shumë”, ka thënë Emanuel Makroni./Halit Delibashi-Sport Ekspres/