Makabi Tel-Aviv duket se ka ndërmend të ndërtojë një skuadër shumë më të fortë se ajo që u rendit në vendin e dytë në kampionatin e fundit në Izrael.
Sot rivali i Tiranës në Europa League ka zyrtarizuar afrimin në huazim 1-vjeçar të mbrojtësit të kombëtares izraelit, Ofir Davidzada, nga Genti.
Mbrojtësi i majtë 26-vjeçar u bashkua me Gentin verën e shkuar, nga Hapoel Beer Sheva, por tashmë ka vendosur të kthehet në atdhe, për të luajtur rregullisht dhe për të mos humbur vendin në kombëtare.
Ndërkaq, po sot Makabi ka lënë të lirë mesfushorin legjendar Josi Benajoun, i cili para një muaji ka mbushur 37 vjeç.
Një emër i madh në Izrael, i cili ka luajtur edhe me klube si Liverpul e Çelsi, Benajoun u bashkua verën e shkuar me Makabin, duke luajtur 27 ndeshje kampionati, por trajneri Zhordi Krujf ka vendosur të rinovojë skuadrën dhe nuk ia ka rinovuar kontratën.