Majlinda Kelmendi ka fituar çmimin prestigjioz “Xhudistja më e Mirë e Sotme” (Best Female Judoka Today) nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos. Kampionia olimpike është nderuar me çmimin më të madh në karrierë të dielën në mbrëmje në Budapest të Hungarisë, para Kampionatit Botëror në Xhudo. Botërori nis më 28 gusht dhe zgjat deri më 3 shtator.
“Është një nder i madh që të jem këtu. Kam disa fjalë të them, shpresoj të mos ju pengoj. Fillimisht dua të uroj presidentin për mandatin e ri. Faleminderit që e keni mbështetur Kosovën. Ju jeni arsyeja që Kosova është pranuar në Komitetin Olimpik. Falë jush më është mundësuar të përfaqësoj Kosovën në Rio. Falë jush Kosova e ka medaljen olimpike. Faleminderit nga zemra”, ka thënë Majlinda Kelmendi pas marrjes së çmimit, ndërsa ka falënderuar trajnerin Driton Kuka: “Falënderim special për njeriun që më ka rritur dhe më ka bërë kampion, trajneri Driton. Vëllezërit Syla dhe Agroni. Të gjithë e njihni historinë time. E kam nisur karrierën në Kosovë. Kam fituar gjithçka. Por ky çmim sot është ‘Everesti’. Nuk mund të kërkoj për më shumë”, ka shtuar ajo. Trajneri Kuka para ceremonisë u shpreh se çmimi që mori Majlinda Kelmendi është po aq i rëndësishëm sa “Topi i Artë” në futboll.