Verë 2017: Tërbuni i varfër nisi riorganizimin e skuadrës, me trajner Kreshnik Krepin dhe në krah të tij Oltijon Kërnajën, tashmë edhe zyrtarisht drejtor sportiv, pasi është diplomuar ditët e fundit në FSHF, ashtu si Olsi Rama. Nga pas, mbështetja financiare e Bashkisë Pukë, jo ndonjë gjë e madhe, por e mjaftueshme për të bërë diçka të mirë.
Shumë punë dhe asnjë fjalë, shumë lojtarë nga Shkodra, stërvitje po ashtu në Shkodër, disa lojtarë sakrifikojnë duke udhëtuar nga Tirana, ndërsa është edhe një lojtar i huaj, për “hudhër”. Grup i ndërtuar me kujdes, pa “gjela” e lojtarë të superpaguar. U desh kohë, shumë punë e durim, sepse në 6 javët e para u morën vetëm 3 barazime, por asnjëherë humbje të rënda. Nuk u dorëzuan në Pukë, kthesa herët a vonë do të vinte dhe një paraqitje e mirë ndaj Teutës në kupë ishte prova.
Revolucioni nisi në fillim të nëntorit: fitore 2-0 në Burrel dhe që aty galop, me 6 ndeshje rresht pa humbje, prej të cilave 4 fitore. Tërbuni i ka fituar 3 ndeshjet e fundit, edhe Tirana e Kastrioti e kanë tepër të vështirë ta bëjnë, ndërsa të shtunën sërish në dëborë pukjanët mundën Besën e Kavajës.
Tashmë Tërbuni është i katërti në grupin A, por nuk fluturon: synimi është të paktën vendi i pestë, çka do të festohej gjatë. Janë ende gjashtë finale, por nëse Tërbuni vijon kështu dhe nuk fal më në Pukë, nuk është çudi të shkojë më lart se vendi i katërt aktual.