Magani shfryn dhe dorëhiqet, Hasanbelliu vë “veton”

Ndodhi një javë më parë, kur pas ndeshjes me Skënderbeun trajneri Gugash Magani deklaroi se do të rishihte pozicion e tij, por presidenti Hasanbelliu e refuzoi.“Mendoj se është fundi i një cikli tim te Teuta. Drejtuesit dhe tifozët meritojnë më shumë. Ndodhi ajo që ka ndodhur në 4-5 javët e fundit, pësojmë dhe më pas shthuremi, kemi mungesë personaliteti, humbim raste, me dy raste që vjen kundërshtari shënon. Përgjegjësia është e imja, në këto momente duhet njëfarë ndryshimi dhe unë them ta mbyll këtu me Teutën. Mendoj se nuk kam motivim të punoj më” tha Magani në “Supersport” mes të tjerash, ndërkohë që analizoi problemet e ndryshme në ekip, duke “akuzuar” madje disa futbollistë.

SENATORËT
“Skuadra mund të ndryshojë me një fytyrë të re. Ta nisësh mirë dhe të bësh 5-6 ndeshje jo të mira dhe një humbje që nuk falet, mendoj se trajneri është ai që e pëson. Kam rezerva për disa lojtarë. Nuk akuzoj asnjë, por tek e fundit ia lë kohës, pasi koha i tregon këta ‘senatorë’ që unë kam pasur besim. E thashë edhe ndeshjen e kaluar që ndihem i fyer, pasi të tjera detyra u jep, të tjera bëjnë. Nëse skuadra humb besimin dhe nuk të dëgjon, duhet të ndalesh. Ajo çfarë duhet të bëjë një trajner i ri, është që t’i ‘këpusë kokën’ 3-4 senatorëve. Kjo është diçka shumë e sigurt, pasi përveç përgjegjësisë që unë kam, edhe ata ishin përgjegjës. Pse nuk e bëra unë? Unë nuk e bëra dhe ndaj po jap dorëheqjen. Ky është gabimi im. Nuk ka të bëjë fisnikëria, trajneri paguhet për të zgjedhur. Ka lojtarë pa karakter sportiv, pa dëshirë, ndaj dhe jam në këto pozita”, tha Magani, që më tej shprehu keqardhjen. “Jam shumë i mërzitur, pasi filluam një projekt me dy njerëz shumë korrekt, me presidentin që e kam shumë mik dhe është hera e tretë që e drejtoj Teutën. Vjen një moment, por unë nuk tërhiqem zvarrë, këtë e kam në karakter. Edhe pse mund të jem i papunë, nuk bëj pjesë tek ata që rrinë deri të marr kontratën, apo të pres të më shkarkojnë. Asnjëherë se kam bërë. Presidenti? E di që do mërzitet, pasi një javë më përpara kam qenë gati të iki, por kam pasur kundërshtinë maksimale nga ai”. Ndërkohë zëvendësimet e kryera në fund të pjesës së parë, kur dolën Dosti dhe Çyrbja, zbulojnë edhe dy prej senatorëve. Në listë është edhe kapiteni Lena.

HASANBELLIU

Numri një i Teutës është presidenti më i vjetër në klubet shqiptare dhe e di mirë çfarë bën. Sikurse ndodhi një javë më parë, presidenti Hasanbelliu sërish ka vënë “veton”, duke hedhur poshtë dorëheqjen e teknikut peqinas. Magani do të duhet të qëndrojë në krye të durrsakëve, por sigurisht që atmosfera nuk mund të jetë e njëjtë pas deklaratës së bërë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *