Masimiliano Alegri ka folur pas ndeshjes, edhe pse në fund ishte tepër i revoltuar, për mënyrën se si bardhezinjtë kanë humbur shumë topa. Megjithatë, prova e forcës dhe testi i mirë që ai kërkonte erdhi: “Djemtë duhet të dhuronin një paraqitje të mirë pas ndeshjes me SPAL dhe ia arritën. Kundër Milanit nuk është asnjëherë e lehtë, në këto ndeshje vlerat zerohen. Eshtë një fitore që na jep mundësi të afrohemi me të parat dhe të përgatitemi mirë për të martën”.
Sa i përket paraqitjes së Higuainit: “Ndihet mirë fizikisht dhe është rritur goxha. i mungonte vetëm goli. Eshtë një futbollist në formë dhe më shumë se sa ta mbajë këtë formë, duhet ta përmirësojë. Golat janë gjeste teknike të mrekullueshme që kanë kampionët e mëdhenj. Gonzalo është një nga këto. Duhet të besojë më shumë te vetvetja, sepse ka raste kur kënaqet me atë që bën. Për mua, nëse luan kështu, është ndër sulmuesit më të mirë në botë. E dija se do të ishte ndeshja e tij”.
Sa i përket paraqitjes: “Në dhjetë minutat e para, Milani më la një përshtypje të mirë. Rodriguez shpesh ishte i lirë, duhet të qëndronte Dibala aty dhe nuk e bënte, ndërsa edhe Kuadrado shpesh nuk e ndiqte lojtarin e tij dhe krosimi për Kaliniçin edhe pikërisht kështu. Mund të bënim më mirë, u mërzita shumë me Pjaniçin, sepse kur nis të luajë shkurt më bën të mërzitem. Sot gaboi shumë topa dhe nuk është normale. Atij i lejohet të gabojë një në ndeshje…”.