Magani: Para kampionatit firmosim dhe me një sulmues

Tekniku peqinas paralajmëron se do të shohim një Teutë pretendente që nuk do të ishte aspak çudi që ta shohim në kupat e Europës  

Teuta po zhvillon përgatitjet në Ohër, ku duket se po bën një punë mjaft të mirë, pasi nën drejtimin e trajnerit Gugash Maganit, durrsakët bëhen skuadër mjaft e frikshme. Për “RTSH sport” tekniku peqinase ka folur për përgatitjet e skuadrës, objektivat e sezonit të ardhshëm, por dhe afrimin e një lojtari si Nijas Lena, që për Maganin është një trajner në fushën e lojës.

PËRGATITJET – “Mund të them se jam i kënaqur, ose pjesërisht i kënaqur. Kemi shumë kualitet në skuadër. Lojtarët ende nuk janë plotësisht gati. Ka qenë një paraqitje e mirë e lojtarëve gjatë kësaj periudhe, ku miqësoren e fundit me Kukësin mund dhe ta kishim fituar”.

MERKATO – “Kemi bërë një merkato të kujdesshme. Ajo që është problem për momentin është përshtatja e skuadrës, e lojtarëve, pasi nuk e njohin siç duhet lojën e njëri-tjetrit. Na takon ne stafit që të bëjmë maksimumin që lojtarët të punojnë. Deri në fillimin e kampionatit mendoj se skuadra do të jetë gati për startin kampionatit. Gjatë kësaj periudhe para kampionatit, do të bëjmë një goditje në repartin ofensiv”.

OBJEKTIVAT – “Serioziteti ka qenë maksimal. Gjithnjë ka qenë maksimal serioziteti tek Teuta. Është hera e tretë që unë e drejtoj këtë skuadër dhe në dy rastet e mëparshme kemi shkuar në kupat e Europës. Nuk do të ishte mëkat që ne të shkojmë në Kupat e Europës dhe të synojmë më lart, por këtë duhet ta tregojmë në fushën e lojës, sa me modesti dhe personalitet, pasi të gjitha mundësitë i kemi. Duke pasur dhe seriozitetin e drejtuesve, të klubit dhe gjithçka tjetër, e kalon topin në krahun tonë dhe duhet ta luajmë mirë”.

LENA “Rikthimi i Lenës ishte dëshira ime dhe e presidentit, pasi është një njohje e vjetër e imja. Është një lojtar që ka luajtur me mua dhe kur kam trajnuar skuadra të tjera. Lena përveç se është një lojtar shumë i mirë, është dhe një trajner në fushë ndaj është një plus ardhja e tij tek ne. Po ashtu dhe lojtarët e tjerë të afruar janë shuam të rëndësishëm dhe ne punojmë me motivin që të gjithë janë të rëndësishëm dhe asnjë nuk është i pazëvendësueshëm”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *