Kanë ndodhur shumë gjëra në ndeshjen e djeshme në Korçë. Pas saj, trajneri Magani ka pirë cigare pa fund në dhomat e zhveshjes, duke lënë ndihmësin të flasë për mediet, pasi ishte duke menduar largimin. Një grupim i tifozëve korçarë është kapur me policinë, që ka shoqëruar tre tifozë dhe më pas i ka lënë të lirë. Këta ultras korçarë, pas këtij incidenti, kanë marrë daullet dhe banderolat dhe janë larguar nga stadiumi. Por ajo që spikati më shumë në këtë ndeshje ishte veprimi i kapitenit Shehi, i cili ia la shiritin Radasit dhe në fund kishte disa minuta edhe për Teqjan në portë.
– Takimi i djeshëm në Korçë është luajtur në temperatura tepër të ulëta, që nuk u ngritën më shumë se dy gradë. Fusha ishte e përshtatshme, ndërsa në pistë kishte pirgje dëbore.
– 20 minuta para startit të takimit ka mbërritur në stadium presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, i cili pasi është ulur në tribunën VIP, larg kolegut Ardjan Takaj. Edhe në pushimin mes dy pjesëve dy presidentët nuk janë afruar fare.
– Presidenti Takaj e ka ndjekur pjesën e parë në tribunë, i shoqëruar nga Fakiç dhe drejtues të tjerë, ndërsa pjesën e dytë e pa nga dhoma e tij, ndoshta nga i ftohti i madh. Në fund ka uruar gjithë lojtarët për fitoren dhe festat e fundvitit.
– Shiritin e kapitenit Orges Shehi ia ka lënë mbrojtësit Marko Radas. Një veprim domethënës i kapitenit, që tregon harmoninë te Skënderbeu. Në minutën e 90-të, Shehi për herë të parë në këtë kampionat është zëvendësuar, duke ia lënë vendin Aldo Teqjas. Shehi është duartrokitur nga të pranishmit në stadium.
– Anel Dediç, pasi shënoi golin e avantazhit, vrapoi drejt stolit për të përqafuar trajnerin Magani.
– Pas takimit, trajneri Magani është futur në dhomat e zhveshjes dhe ka tymosur cigare. Nuk ka pranuar të dalë para gazetarëve dhe u ka thënë ndihmësve të tij se nuk ka qenë mirë. Ai ka menduar largimin nga stoli i Teutës.
– Në orën 15:00, afrikani i Teutës Amadu Latif, ka marrë me vete një tapet të vogël, ka dalë pranë pistës së stadiumit dhe është falur.
– Të gjithë futbollistët e Skënderbeut dje u larguan nga Korça, pasi nisën pushimet dimërore.