Sot janë zhvilluar dy ndeshjet e para në kuadër të javës së 29-të në Vala Superligë. Liria e drejtuar nga Bledi Shkëmbi ka shënuar fitore para tifozëve të vet në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren në duel me Gjilanin, me rezultat 3-2, në një lojë mjaft interesante, me shumë raste e shumë gola. Për Lirinë kjo ishte fitorja e parë, pas tri barazimeve e një humbjeje.
Prizrenasit kaluan në epërsi në minutën e 9-të, me golin e shënuar nga Elton Basriu. Rezultati u barazua në minutën e 36-të me golin e Ylber Kastratit, mirëpo pak para përfundimit të pjesës së parë Artur Magani e riktheu epërsinë për Lirinë, 2:1. I njëjti futbollist shënoi edhe në minutën e 64-t për 3:1. Gjilani arriti ta ngushtojë epërsinë e vendasve në minutën e 74-t me golin e Betim Haxhimusës, por kjo ishte e tëra çfarë arriti të bëjë, ndonëse nga minuta e 77-të kishte epërsinë numerike në fushë pas përjashtimit të David Domgjonit.
Me këtë fitore Liria u ngjit në vendin e tretë, ndërkohë që e veçanta e kësaj ndeshje ishte prania e përzgjedhësit të Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes. Interesante ishte edhe një situatë e krijuar në pjesën e dytë, kur Liria tentoi të aktivizonte mbrojtësin Ervis Kaja me maskë mbrojtëse për një dëmtim, por arbitri nuk e lejoi, pasi sipas tij kishte mjete metalike. Liria ka evidentuar më vonë faktin që ajo maskë pvrdoret gjerësisht në futboll dhe e ka përdorur edhe Robert Levandovski.
Në Skënderaj Drenica mposhti Vllazninë 6-2, ndërkohë që dy gola i realizoi Denis Peposhi, sulmues i Kamzës në pjesën e parë të sezonit.