Daja nuk ka pritur gjatë, por ka qenë dje në Vlorë. Gugash Magani është kandidati i parë për të marrë drejtimin e korçarëve. Flitet edhe Shehi
Leonard Trebicka
Sigurisht që kur je në situatë të mirë, të duan të gjithë, problemi është kush të do në ditë të vështira, siç është situata aktuale e Skënderbeut. Disa nga titullarët e Skënderbeut dhe trajneri i bardhekuqve për një sezon e gjysmë, Ilir Daja, kanë vendosur t’u thonë lamtumirë korçarëve, duke mos pritur as bisedën e dytë me presidentin Ardjan Takaj. Përpara disa ditësh Daja u takua me Takajn dhe nuk vendosën asgjë, u tha se do të kishte një takim tjetër, që në fakt nuk u krye, pasi Daja tashmë ka vendosur të shkojë në Vlorë. Në këtë moment, Skënderbeu është pa trajner dhe pyetja që lind natyrshëm është kush do të jetë zëvendësuesi i Dajës në stolin bardhekuq. Do të jetë e vështirë, sepse nuk është më, të paktën për disa muaj, ai Skënderbeu i milionave. Pas vendimit të CAS-it, të gjithë po vrapojnë të sistemohen në skuadra të tjera, megjithatë drejtuesit e klubit korçar po mundohen ta menaxhojnë situatën me qetësi. Nga dje ata po mendojnë seriozisht për trajnerin e ri, ku për momentin duket se kandidaturat janë dy.
MAGANI – Njëri nga kandidatët është një emër shumë i njohur. Gugash Magani duket se ka shanset më të mëdha për t’u ulur në stolin e Skënderbeut. Marrëdhëniet shumë të mira që kanë drejtuesit e Skënderbeut me kolegët e Trepçe 89’ në Kosovë, ku Magani është aktualisht, bëjnë që lëvizja ta kryhet pa ndonjë problem. Por gjithçka duhet parë në ditët në vazhdim, nëse Magani do të pranojë ta marrë drejtimin e ekipit korçar në këtë situatë. Emri i Maganit është më i përfoluri për të pasuar Dajën në stolin e Skënderbeut. Presidenti Takaj do të vendosë përfundimisht për këtë çështje.
SHEHI – Emri tjetër që ka dalë në skenë, pasi trajneri Ilir Daja ka zyrtarizuar largimin nga Skënderbeu, është Orges Shehi. Portieri durrsak është tërhequr përfundimisht nga futbolli i luajtur, pas një karriere të gjatë. Plot tetë sezone ai ka qenë pjesë e Skënderbeut, dy sezonet e fundit edhe kapiten i tij. Ka fituar gjithçka me fanellën bardhëkuqe dhe përpara pak ditësh ka pasur një bisedë “kokë më kokë” me presidentin Ardjan Takaj. Vetë Shehi nuk ka pasur dëshirë të thotë diçka në lidhje me këtë fakt, por ai e ka licencën e duhur për të drejtuar një skuadër futbolli që në këtë moment. Duke qenë se Shehi e njeh më mirë se kushdo tjetër ekipin e Skënderbeut, ku luajti për tetë sezone, sigurisht që mund të jetë një alternativë e mirë. Ta niste karrierën e trajnerit në stol me Skënderbeut do të ishte diçka e bukur për Shehin. Pritet që sot presidenti Takaj të ketë një tjetër takim me Shehin dhe më pas do të vendoset për të ardhmen.