Ylli i muzikës botërore, Madona, ka vendosur të hapë një shkollë futbolli në Malaui. David Banda është djali i adoptuar i këngëtares dhe 12 vjeçari aktivizohet me moshat e Benfikës në Portugali. Ai dëshiron të bëhet një futbollist i madh, por kjo nuk është dëshira e tij e vetme.
David dëshiron që edhe fëmijët në vendin afrikan, nga ai ka origjinën, të kenë mundësi të luajnë futboll dhe të ndjekin ëndrrat e tyre me topin. 12 vjeçari ka insistuar tek e ëma dhe e ka bindur që ajo të hapë një akademi futbolli në Malaui.
Kërkesa drejt shoqatës së futbollit të Malauit është bërë dhe këta të fundit e kanë pritur me gëzim propozimin e divës së muzikës. Ata kanë afruar një fushë afër stadiumit kombëtar në kryeqytetin e Lilongues.
Presidenti, Valter Niamilandu, ka folur për “Associated Press”, ku shprehet i lumtur për këtë mundësi që po i paraqitet vendit të tij. “Jemi të lumtur për këtë mundësi, sepse do të plotësojë përpjekjet tona për të krijuar një akademi futbolli.”
Ëndrra e Davidit të vogël po bëhet realitet dhe ai është i ekzaltuar nga marrëveshja midis nënës së tij dhe shoqatës afrikane. “Në do ta nisim ngadalë dhe do të rritemi, do arrijmë të marrim pjesë në Kupën e Afrikës dhe shpresoj që të arrijmë maksimumin e mundshëm”, shprehet djaloshi 12-vjeçar.
David është fëmija më i madh prej katër fëmijëve nga Malaui të adoptuar nga Madona, e cila ka krijuar dhe fondacionin “Ngritja e Malauit”, në vendin e varfër, që numëron plot 1.4 milionë fëmijë jetimë.