Trajneri i moshave te Kamza flet për problemet dhe vështirësitë e punës me fëmijët, talentet e së ardhmes, që nuk mungojnë, por është e e vështirë të rriten si duhet dhe të mësojnë futboll në kushte të mjeruara. Apeli i tij: Na ndërtoni fusha!
Kur bëhet fjalë për problemet me ekipet e fëmijëve, deri tek të rinjtë, më mirë se trajnerët e tyre askush nuk i di hallet e futbollit tonë. Një prej tyre, Ergys Luga, trajner i ekipeve U-11 dhe U-13 te Kamza, ka folur për “Sport Ekspres” në lidhje me problematikën që e shoqëron në punën e tij, por që e ka çdo koleg i tij, në çdo grupmposhë. Me një licencë UEFA B, trajneri ambicioz mundohet të bëjë punën e tij dhe të ndihmojë sa më shumë lojtarë të rinj të hedhin hapat e duhur drejt futbollit të vërtetë, por problemet janë pa fund. Më i madhi, sipas Lugës, është mungesa e terreneve sportive, pasi mungojnë kushtet thelbësore për të kryer stërvitje dhe për të mësuar rregullat elementare të futbollit.
“Stërvitemi dhe luajmë në fusha kalçetoje, është një shqetësim i madh për mua dhe gjithë trajnerët e tjerë, anembanë Shqipërinë. Nuk mund të rritësh lojtarë të talentuar dhe t’u mësosh rregullat bazë të futbollit, duke i stërvitur në fusha të vogla, duke mos provuar as barin natyral dhe duke i luajtur ndeshjet shpesh duke shkelur rregulloret. Duhen respektuar standardet, në një fushë me parametra të caktuar duhet të luajë një numër i caktuar lojtarësh, jo më shumë. Gjithashtu, çdo grupmoshë ka nevojë për përgatitje të veçantë, në fushë të veçantë. Nga mosha 13 vjeç e lart të rinjtë duhet të mësohen të luajnë në fusha me bar natyral, pasi nuk është e këshillueshme që të stërviten e të luajnë vetëm në bar artificial, që në përgjithësi në Shqipëri nuk është aspak cilësor e në parametrat e duhur, ndaj edhe ndodhin dëmtime, apo struktura fizike e futbollistëve deformohet”, shprehet Luga, i cili para pak ditësh e drejtoi Kamzën në Kupën e Pavarësisë për grupmoshat 11-13 vjeç, turne që u zhvillua në Orikum dhe vendin e tretë e zuri Kamza U-13, që fitoi dhe çmimin e “Ekipit te perspektivës”. Në atë turne morën pjesë ekipe nga trevat shqiptare dhe këtu Luga tregon pengun e tij.
“Me gjithë trajnerët që takuam gjatë turneut në Orikum, askush jashtë Shqipërisë nuk e kishte problemin e fushave. Nuk ekzistonte si problem, kishin gjëra të tjera në mendje, ndërsa ne jemi ende te baza, te fushat. Realisht, nëse nuk kemi fusha, është e kotë, duket si luftë e humbur”.
Në Kamzë ekziston një dëshirë të madhe për t’u marrë me futboll, por mungojnë kushtet: “Realisht, në Kamzë të gjithë fëmijët duan të merren me futboll. Në çdo rrugë sheh fëmijë duke luajtur, në kushte të improvizuara, duke rrezikuar edhe jetën, nga makinat që kalojnë. Kamza është një qytet që është rritur ndjeshëm në dekadat e fundit, me shumë të ardhur nga zona të tjera të Shqipërisë dhe të gjithë e duan futbollin. Ne trajnerët e moshave realisht kemi marrë mbështetje të madhe nga Bashkia Kamzë dhe klubi i futbollit Kamza, por shpresojmë që FSHF të bashkëpunojë me ta për ndërtimin e disa fushave në Kamzë. Nëse ekziston dëshira, gjendet lehtësisht zgjidhja, edhe pse është ndërtuar pasivisht dhe duket sikur nuk ka hapësira, por realisht ato mund të gjenden ende dhe duhet bërë diçka para se të jetë vonë”.
Duke qëndruar te Kamza, trajneri i ri vlerëson atë që po bëhet në klubin e futbollit: “Këtë vit është bërë një punë e mrekullueshme, bashkia dhe klubi kanë bashkëpunuar në mënyrë perfekte dhe skuadra është shumë cilësore. Me paraqitjet e deritanishme, jam i bindur se Kamza do të qëndrojë në vendet e para në renditje dhe pse jo, mund të tentojë edhe vendin e tretë. Uroj që ky projekt të zgjerohet në të ardhmen dhe klubi i futbollit të fuqizohet më tej, duke tentuar edhe kualifikimin për në kupat e Europës, për të përfituar të ardhura të mjaftueshme që do të lejonin klubin të investonte fuqishëm te infrastruktura, me ndihmën e FSHF-së, që duhet t’i orientojë dhe ndihmojë klubet në aspektin e infrastrukturës. Futbolli shqiptar ka talente pa fund, thjesht duhet punuar seriozisht dhe me profesionalizëm, dhe mbi të gjitha duhen fusha, sa më shumë fusha”.