Luftëtari revoltohet: Asnjë dënim për gjyqtarët që na ndëshkojnë!

Zëvendëspresidenti Artur Dadaj: Disa gjyqtarë janë “pistoleta” në duart e atyre që i drejtojnë. Kush na i kthen pikët që na ka mohuar gjykimi 

Gëzim Beqiri

Luftëtari arriti një fitore me shumë vlera ndaj Kamzës, që përveç tri pikëve i kthen besimin e humbur në shumë ndeshje të mëparshme, ku edhe pse ka luajtur bukur, nuk ka marrë rezultatin e dëshiruar. Ndaj Kamzës fitorja u bë më e bukur, sepse goli u shënua në sekondat e fundit, duke konkretizuar rastet e shumta të shpërdoruara. Si në shumë takime të tjera, pengesë u bë përsëri shtylla, pas gjuajtjes së Bregut. Nga mënyra si u zhvillua loja dhe si u administrua nga arbitri Laver Alla, ndeshja mund të përfundonte në barazim. Është hera e dytë që ky gjyqtar penalizon skuadrën gjirokastrite dhe është ndeshja e 12-të, ku Luftëtari penalizohet dukshëm. Veprimi i Allës ndaj Kamzës ka bërë që te Luftëtari dhe jo vetëm të bëjnë humor me gjyqtarin Alla, duke i thurur vargjet e këngës përmetare kushtuar Laver Bariut.

DADAJ – Më i drejtpërdrejt dhe më i pakënaqur nga veprimet e arbitrave ndaj Luftëtari është zëvendëspresidenti Artur Dadaj, i cili dje për “Sport Ekspres” është shprehur: “Nuk është vetëm Laver Alla e keqja e Luftëtarit. Janë disa arbitra dhe nuk e kuptoj ende këtë sinkron të tyre. Ne fituam dhe kjo nuk do të thotë se edhe këtë rast duhet ta kalojmë qetësisht. E dimë dhe e marrim me mend se nuk do të merren masa ndaj tij dhe ai përsëri, nëse do të na arbitrojë, do të na penalizojë. Nga 14 ndeshje të luajtura deri tani, në 12 jemi penalizuar dukshëm. Vetëm në dy raste, ndaj Partizanit në Tiranë dhe Flamurtarit në Gjirokastër, nuk na janë bërë padrejtësi. Nuk e them vetëm unë këtë. E kanë thënë specialistët dhe moviolistët. Pikët e lëna për faj dhe veprime me dashje nga gjyqtarët, kush na i kthen? Që në takimin e parë ndaj Teutës dhe deri tek i fundit me Kamzën, Hamitaj, Koçi, Alla, Xhaja dhe sidomos Ziri, na kanë mohuar apo dhënë padrejtësish penallti, që kanë ndikuar në rezultat. Më e keqja është se edhe pse janë sjellë kështu, nuk është marrë asnjë masë për pezullimin e tyre. Nëse në një federatë tjetër do të kishte gjykuar dikush si Ziri ndaj nesh me Teutën, apo Koçi me Kukësin, që nuk njeh as rregulloren, do t’i ishte hequr përfundimisht bilbili nga goja. Nuk e kuptoj si kaloi qetësisht veprimi i Zirit nga drejtuesit e FSHF-së, edhe pse ne dërguam një relacion dhe kërkuam marrjen e masave ndaj tij. Ai përsëri gjykoi të dielën një ndeshje të rëndësishme të Kategorisë së Parë dhe mund të na e dërgojnë përsëri të na gjykojë në një ndeshje më të rëndësishme se ajo me Teutën.

Kjo tregon se disa gjyqtarë janë “pistoleta” në duart e atyre që i drejtojnë dhe ne duhet të heshtim. A duhej ta drejtonte ndeshjen tonë me Kamzën një gjyqtar nga Lushnja, duke pasur konflikt interesi, mbasi Lushnja është rivalja jonë? Sa herë që futbollistë, drejtues të skuadrave dhe klubeve apo tifozëri sillen keq ndaj gjyqtarëve, merren masa pezullimi apo me gjoba, por konstatojmë se kjo nuk ndodh ndaj atyre që në shumë raste janë shkaktarë të këtyre ndodhive. Ata i kanë marrë masat për të mbrojtur veten. Interesat tona nuk i mbron kush.

Jemi i vetmi ekip që nuk na është dhënë asnjë penallti në të gjitha ndeshjet e luajtura deri tani, edhe pse kanë qenë 5-6 raste flagrante. Ndaj Luftëtarit po përsëritet e shkuara. Ne që jemi pjesë e tij e kuptojmë arsyen pse ndodh kjo dhe më e keqja nuk kemi ku ta kërkojmë. Jam bërë shumë i zhurmshëm deri tani, duke dalë në media, por po na soset durimi. Megjithatë, sado që të na pengojnë, Luftëtarin nuk do ta zbresin nga Superliga”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *