Nga fakti se lista zyrtare që është dërguar për federim në Komisionin e Garave në FSHF është shpallur shumë vonë mbrëmjen e së mërkurës, futbollistët që nuk do të jenë pjesë e Luftëtarit e kanë mësuar këtë gjë nga shtypi, pavarësisht se ajo do të afishohet në ambientet e klubit. Futbollistët që nuk janë përfshirë në listë do mbeten përsëri pjesë e skuadrës gjirokastrite, por do të huazohen në ekipe të tjera të Qarkut, kryesisht në Kategorinë e Dytë. Valto Zeqaj, Stiven Janku, Mikel Hoxha, Arsen Kasa dhe Leonard Përgjini janë të rinjtë e ardhur në merkaton e tanishme nga ekipet e tjera dhe janë të moshës 19-21 vjeç. Nga ekipet e moshave të Luftëtarit janë afruar Stiven Puci, Avernold Qyrani dhe Rudion Mahmutaj, të cilët kanë firmosur kontrata 4-vjeçare. Vetëm tre futbollistë të huaj do të jenë pjesë e Luftëtarit në këtë sezon: Fakundo David Nasif nga Argjentina, Bruno Nikolas Toledo Danta dhe Fabricio Damian Nunies nga Uruguai. Liberiani Abu Kamara mbeti jashtë listës së federimit për mungesë dokumentacioni. Duke qenë me një lojtar sulmues më pak, Luftëtari në çastet e fundit ka federuar futbollistin Leonard Përgjini nga Lezha, por i aktivizuar së fundmi me Shënkollin.