Trajneri Hasan Lika jo vetëm mund të zgjedhë titullarët që do, por do të ketë edhe një stol më të fortë, që e lejon të ndërhyjë gjatë ndeshjes
Gëzim Beqiri
Stafi i Luftëtarit u mjaftua me vetëm një seancë stërvitore dje dhe të njëjtën gjë do të bëjë edhe sot në mesditë. Për trajnerin Hasan Lika nuk do të ketë asnjë mungesë për ndeshjen e radhës dhe është hera e parë që me ardhjen e tij në drejtim të Luftëtarit që e ka grupin të plotë. Rroca, i cili pati probleme shëndetësore ditët e fundit, i është bashkuar grupit, ashtu si dhe mbrojtësi Bruno Toledo. I mbetet stafit teknik të përcaktojë formacionin që do të luajë përballë Teutës nesër, por në përshtatje me skemën taktike trajneri Lika do të bëjë zgjedhjet e tij. Këtë radhë, krahas titullarëve, ai do të ketë edhe një stol të fortë dhe mund të ndërhyjë gjatë lojës, nëse nuk do të funksionojë sipas parashikimit të tij.
FORMACIONI – Dy ditët e fundit ai i ka vënë futbollistët të luajnë të ndarë në dy grupe, pa i ndarë në titullarë dhe jo titullarë. Në fakt, formacioni dihet, por me ndonjë ndryshim dhe këtu qëndron edhe arsyeja e vëzhgimit të lojës nga trajneri Lika. Duke mos vendosur në asnjë rast të njëjtët futbollistë përballë grupit tjetër, kuptohet se ende nuk ka vendosur për 11 lojtarët që do të luajnë nga minuta e parë nesër ndaj Teutës. Ka balotazh në mbrojtje, por edhe në mesfushë, pasi gati janë edhe Toledo dhe Rroca, ndërkohë që sulm nuk pritet të ketë ndryshime. Abazaj, Bregu dhe Lamçja do të përbëjnë repartin e sulmit, pavarësisht se taktikisht është vetëm një sulmues i deklaruar.
MOTIVIMI – Ajo që konstatohet dhe pranohet nga trajneri Lika, është se ekipi është tepër i motivuar për fitore ndaj Teutës. Ndërprerja e kampionatit ka ndikuar për mirë në aftësimin e disa futbollistëve, por edhe trajneri Lika ka pasur kohën e mjaftueshme ta përmirësojë situatën, sipas filozofisë së tij, duke përmirësuar treguesit fizikë, por edhe përgatitjen taktike, në mënyrë që Luftëtari të jetë në nivelin e duhur. Pavarësisht kushteve të motit, stërvitja ka vazhduar normalisht dhe shpesh ka qenë me dy seanca në ditë. Pas 4 humbjeve, Luftëtari arriti fitoren me një lojë bindëse ndaj Lushnjës dhe kërkon të fitojë ndaj Teutës, por edhe më pas me Laçin, ndeshje që do të luhet po në Gjirokastër.