Luftëtari është skuadra e momentit në Superiore, me disa fitore rresht dhe lojë impresionuese. Tani që renditja është përmirësuar ndjeshëm, në Gjirokastër kanë luksin të shohin edhe nga kupa, kompeticion ku zakonisht nuk kanë synime madhore.
Trajneri Hasan Lika ka folur në prag të sfidës së nesërme në Laç dhe kërkon përqendrim maksimal, për të harruar euforinë e fitores ndaj Skënderbeut: “Fituam me Skënderbeun duke shfrytëzuar maksimalisht rastet, përballë një skuadre që na vendosi shumë në vështirësi. Por, tashmë jemi të përqendruar maksimalisht te ndeshja e Kupës me Laçin dhe do të synojmë të përmirësojmë gabimet që bëmë në fundjavë. Objektivi ynë sigurisht është edhe Kupa, që të shkojmë sa më larg. Nuk kemi lënë lojtarë pushim, por kemi vetëm dy të dëmtuar, Rapan dhe Lamçen. Do të luajmë me formacionin më të mirë, me qëllimin që të marrim një rezultat sa më pozitiv dhe që të jemi në pozita të mira në ndeshjen e dytë”.
“Karakteristikat e ndeshjeve të Kupës janë me sistem eliminimi dhe është e rëndësishme të mos pësojmë gol, por nga ana tjetër duhet të mundohemi që edhe të shënojmë. Kjo do të na ndihmonte të ishim më të qetë dhe më optimistë për ndeshjen e dytë, ky është qëllimi ynë. Do mundohemi që të vazhdojmë të luftojmë, si në Kupë ashtu edhe në kampionat”.