Luftëtari në “ajër”, financat problemi i madh

Edhe pse nuk pranohet, në Gjirokastër ka pasur probleme me pagat. Moskualifikimi në Europë ka ndikuar negativisht në situatën aktuale të bluzinjve

Gëzim Beqiri

Edhe kjo javë do të jetë e qetë dhe pa asnjë zhvillim të ri në ekipin e Luftëtarit. Të gjithë justifikohen se janë me pushime, kjo nga fakti se çdo gjë ka mbetur pezull dhe ende nuk dihet se kur do të nisë faza përgatitore . Konsiderohej avantazh shtyrja e fillimit të kampionatit, por tashmë koha punon në të kundërtën dhe do të mbeten pak ditë për të stërvitur ekipin. Tek Luftëtari mungojnë të gjitha dhe të gjithë.

TRAJNERI
Aktualisht skuadra është pa trajner dhe pa staf teknik. Zyrtarë të klubi dje deklaruan se Milinkoviç vazhdon të jetë trajneri, por ende ai nuk ka kontaktuar me klubin për mendimet dhe lëvizjet e mundshme, apo për të sqaruar pozicionet e tyre. Milinkoviç ka shumë mundësi të mos drejtojë më Luftëtarin, teksa ai pranon se nuk është futur në bisedime, por edhe se ka kërkesa nga ekipe të tjera. Gjithashtu drejtuesit e klubit deklaruan se nuk mund të vihen në kërkim të një trajneri tjetër,  edhe pse te Luftëtari e kanë bindjen se ai nuk do të jetë në pankinë, por nuk mund ta deklarojnë zyrtarisht. Një prej ndihmësve të tij është deklaruar se i gjithë stafi nuk do të jetë më pjesë e Luftëtarit.

EKIPI
Të gjithë lojtarët janë nën kontrata, por janë të pavendosur nëse do të vazhdojnë edhe këtë sezon të mbeten pjesë e Luftëtarit. Asnjë nuk pranon nga ata të jenë kontaktuar për datën e grumbullimit dhe janë në pritje jo vetëm për fillimin e stërvitjes, por të zgjidhin edhe problemet financiare me klubin. Nuk e thonë, por është e vërtetë që ende kanë nga sezoni i mëparshëm rroga pa marrë dhe vetëm Bojom ka folur, sepse është i larguar dhe nuk krijon qejfmbetje. Të gjithë kanë kontratë edhe për një tjetër sezon, por më parë duhen plotësuar kërkesat financiare, pasi ndryshe u lind e drejta të largohen në skuadra të tjera. Luftëtari ka nevoja për shumë futbollistë të tjerë dhe vështirësia më e madhe nuk është tek plotësimi i numrit të tyre, por tek cilësia. Veç të tjerave, kërkohen dy portierë që është vështirë t’i gjesh ata me cilësitë e kërkuara. Ka disa futbollistë me të ardhme nga ekipet e të rinjve, të cilët kanë mbushur moshën dhe duhet të grumbullohen në ekipin e të rriturve, por deri tani edhe ata nuk kanë asnjë njoftim për të ardhmen e tyre. Tani është kulmi i merkatos dhe asnjë nuk mund të largohet pa lejen e klubit, por janë të pashpresë kur shikojnë që Luftëtari ende nuk po grumbullohet.

FINANCAT
Gjithmonë ato nuk janë bërë publike, qoftë edhe për lëvizjet e futbollistëve në merkato, apo shpenzimeve të tjera. Prej një viti klubi i futbollit kaloi në SH.A, që funksionoi ndoshta mirë, por deri tani grupi i donatorëve nuk është mbledhur dhe më e keqja është se ai nuk ekziston më. Ishte thënë se do të mblidhej para dhjetë ditëve, por mungesa e tyre vështirëson grumbullimin e shumave financiare për të përballuar kampionatin. Çështja financiare është më e mprehta dhe më e vështira dhe duket se është kjo që pengon dhe shtyn datën e fillimit të fazës përgatitore. Nëse pritet të shitën apo të blihen lojtarë, përsëri koha është e kufizuar

PRESIDENCA
Presidenti i ekipit, Grigor Tavo, dha një kontribut të madh në skuadër në kampionatin që sapo përfundoi dhe është veç të tjerave meritë e tij që ekipi u rendit në vendin e katërt. Mosmarrja pjesë në kupat e Europës ka bërë që edhe situata financiare në klub të jetë kjo që është. Mosprania presidentit Tavo këto ditë në Gjirokastër duhet marrë edhe si justifikim që Luftëtari është prapa në kohë, por nëse kthehet aktiv si edhe në sezonin 2016-2017, koha është e mjaftueshme për të zgjidhur situatën aktuale në favor të ekipit dhe t’i përmbahet deklarimit dhe zotimit jo vetëm të një viti më parë, por edhe të disa ditëve më parë, se Luftëtari do të kthehet fuqishëm në kampionat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *