Luftëtari: Milinkoviçin e bëmë të njohur, s’kemi asnjë detyrim

Klubi gjirokastrit hedh poshtë pretendimet e përfaqësuesit të trajnerit serb, duke nxjerrë në pah edhe “hilet” që ata bënë sezonin e fundit

Gëzim Beqiri   

I menjëhershëm ka qenë reagimi i klubit të Luftëtarit lidhur me pretendimet e avokatit të trajnerit aktual të Kukësit, Mlladen  Milinkoviç, sipas të cilit gjirokastritët i detyrohen atij me tri rroga mujore. Në deklaratën zyrtare të klubit për këtë çështje thuhet: “Nisur nga deklarata e avokatit të trajnerit  Milinkoviç se Luftëtari i detyrohet tri rroga mujore, na duhet të saqrojmë mbarë opinion publik se pretendimet e ngritura nuk  janë aspak të vërteta. Trajnerit Milinkoviç, si dhe gjithë futbollistëve, në përfundim të kampionatit u është vonuar rroga e fundit mujore. Në momentin e grumbullimit të ekipit, edhe  trajnerit Milinkoviç këto para i kanë kaluar në llogarinë e tij bankare. Këto kanë qenë për vonesë proceduriale dhe tashmë çdo gjë është e shlyer.

Trajneri Milinkoviç, kur është larguar nga Luftëtari, ka qenë i bindur për të vijuar punën, edhe pse nuk është treguar profesionist, pasi duke qenë nën kontratë me  ekipin tonë, në datën 11 qershor ka nisur kontaktet me ekipin e Partizanit. Ndërsa në datën 15 qershor ka kontaktuar me Kukësin dhe ka mbyllur marrëveshjen. Klubi i futbollit Luftëtari do të vijojë të gjitha procedurat e nevojshme pranë FSHF-së, si organin e duhur në të cilën zhvillohet gara, si dhe strukturat përkatëse në UEFA dhe FIFA. Trajneri Milinkoviç si dhe përgjegjësi i tij ligjor, nuk mund të hedhin baltë mbi Luftëtarin, skuadër që e afirmoi në arenën europiane.

Klubi i Luftëtarit dhe drejtuesit e tij e kanë respektuar trajnerin  Milinkoviç për punën e bërë, por s’mund të lejojnë në asnjë moment nëpërkëmbjen e tij. FSHF-ja dhe anëtarët e saj (në këtë rast klubet e futbollit) meritojnë respekt nga çdo Milinkoviç apo përfaqësuesit e tij. Trajneri Milinkoviç si dhe avokati i tij afruan te Luftëtari në mes të sezonit lojtarë të dëmtuar,  të cilët asnjëherë nuk e justifikuan aktivizimin e tyre. Pavarësisht gjithçkaje, këta futbollistë janë paguar rregullisht si gjithë të tjerët, duke mos u pasur asnjë detyrim financiar. Klubi i futbollit Luftëtari, në lidhje me deklaratën e përfaqësuesit ligjor të trajnerit Milinkoviç, do t’i drejtohet gjykatës me një padi për dizinformim dhe prishje të imazhit të klubit“. Kuptohet qartë që tashmë lufta mes klubit gjirokastrit dhe ish-trajnerit është bërë më e ashpër dhe vetëm organet ligjore do t’i japin zgjidhje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *