U tha se do të vinte edhe një sulmues për të kompletuar grupin, por duket se drejtuesit gjirokastritë kanë ndërruar mendje. Tre të huajve u bashkohet dhe Zeqaj
Gëzim Beqiri
Gjirokastritët, nën drejtimin e dyshes uruguaiane Fernandez- Kurbelo, janë duke u dhënë dorën e fundit përgatitjeve intensive në tokën greke. Me dy takimet e njëpasnjëshme në Nausa, sot me ekipin vendas, pjesë e ligës së tretë në kampionatin grek, si dhe me skuadrën që aderon në ligën e dytë Anagenisi Kardhica, Luftëtari do të mbyllë fazën në Veria dhe do të rikthehet në Gjirokastër ditën e martë. Në harkun e ditëve përgatitore në Veria, stafi teknik i bluzinjve vëmendje të veçantë i ka kushtuar marrjes së ngarkesave fizike dhe përmirësimit të komponentëve tekniko-taktikë. Ky ka qenë edhe qëllimi i ditëve speciale në kampingun veror të Verias, siç është bërë me dije para nisjes së skuadrës drejt Greqisë. E si për të bërë të prekshëm këtë mision, stafi i Luftëtarit është ndalur në “rikompozimin” e formacionit, me të cilin do të përballet me kundërshtarët e Superiores. Parë në këtë vështrim, mes të afruarve në ditët e përgatitjeve të startuara nga 26 korriku, në radhët e gjirokastritëve nuk kanë munguar edhe “firot”. Nga sa mësohet nëpërmjet burimeve konfidenciale pranë ekipit gjirokastrite, janë larguar katër-pesë futbollistë, të cilët me paraqitjen e tyre nuk e kanë bindur stafin teknik. Kësisoj, nuk janë në planet e gjirokastritëve në sezonin e pritshëm futbollistik.
E ndërsa dy ditë më parë nga drejtues të Luftëtarit, të cilët nuk dëshironin ta bënin publik emrin, u tha se do të afrohej një sulmues goli, dje është mësuar se “dyert“ e merkatos janë mbyllur, që do të thotë se katër janë prurjet e reja në radhët e bluzinjve. Dhe bëhet fjalë për uruguaianët Nuniez dhe Toledo, për argjentinasin Fakundo dhe vlonjatin Valdo Zeqaj. Nga ana tjetër, nga grupi i sezonit të kaluar, ka pasur jo pak largime lojtarësh.