Dyshja e trajnerëve uruguaianë ka mbajtur shumë shënime gjatë miqësoreve të fundit, por mendohet që baza të jenë titullarët e sezonit që shkoi
Gëzim Beqiri
Pas dy ndeshjeve miqësore, që zhvilloi Luftëtari me dy formacione të ndryshme, duket se është në rrugën e konsolidimit të formacionit. Ndaj Tomorit fitoi me formacionin e dytë 1-0, ndërsa barazoi 1-1 me Bylisin me një formacion, ku shumica e lojtarëve ishin nga futbollistët e një sezoni më parë, por me disa mungesa. Ndaj Bylisit, në pjesën e dytë stafi teknik aktivizoi ndoshta formacionin, që mund të luajë ndaj Teutës në ndeshjen e parë të këtij sezonit. Pavarësisht se qëllimi i takimeve miqësore nuk është fitorja, nga sa u pa dhe duke marrë mendimin e njohësve të tjerë të futbollit, skuadra ka ende nevojë për t’u përmirësuar, sidomos në veprimet taktike. Jo pa qëllim dyshja e trajnerëve uruguaianë Fernandez-Curbelo mbajti shënime gjatë gjithë lojës. Duket se Luftëtarin në stol do të drejtojë Luis Curbelo dhe jo Daniel Fernandez. Kjo ka të bëjë me njohjen e gjuhës greke, me të cilën mund të komunikojë më lirshëm me futbollistët gjatë lojës. Sipas Curbelos, gjatë ditëve të stërvitjes me ekipin është punuar me një skemë të përzgjedhur prej tyre dhe, nëse do të kishte funksionuar më mirë në dy takimet miqësore, do të kishte tjetër rezultat. Javës së mbetur deri në fillimin e kampionatit do t’i kushtohet më shumë përgatitjes taktike, duke e konsideruar të realizuar përgatitjen fizike të futbollistëve.
FORMACIONI – Nuk ka tashmë dilema në përzgjedhjen e formacionit dhe dy testimet ndaj Tomorit dhe Bylisit u dhanë mundësi stafit teknik të bëjë zgjedhjen më të mirë. Një gjeteje ndryshe në takimet miqësore nga stafi i ri teknik, duke luajtur në dy ditë radhazi, por me formacione të ndryshme. Vetëm në pjesën e dytë ndaj Bylisit, duke parë lojtarët në fushë, mund të përafrosh emrat e futbollistëve, të cilët konsiderohen titullarë. Trembëdhjetë futbollistë nga sezoni i kaluar dhe po kaq nga merkatoja e tanishme përbëjnë dy skuadra, por vetëm 2 ose 3 ndryshime do të ketë nga formacioni i kampionatit të mëparshëm.
Me kthimin në ekip të sulmuesit Krisal Abazaj, mbas përfundimit të takimeve me kombëtaren e 21-vjeçarëve, është e mundur që Miraka, Ruçi, Beqiri, Zeqaj, Rapa, Rapo, Aleksi, Roca, Ramadani, Bregu, Lamçe, Zogaj, Brahimaj si dhe futbollistët e huaj Nasif, Toledo dhe Nunies, të jenë boshti i ekipit për sezonin e ri. Deri tani kanë nënshkruar edhe pesë futbollistë nga ekipi i të rinjve të Luftëtarit, si dhe Hoxha, Kasa e Janku nga ekipet e tjera. Merkatoja e Luftëtarit është konsideruar e përfunduar, por lista zyrtarisht ajo do të shpallet 4-5 ditë përpara fillimit të kampionatit.