Trajneri i Flamurtarit: E pranojmë vendimin, pasi situata është e tillë. Është më mirë të mos luhet në një terren të papërshtshëm, pasi pengon ekipet
Elton Nika
Te Flamurtari e kanë pritur me qetësi vendimin për shtyrjen e ndeshjes me Luftëtarin për ditën e hënë. Vlonjatët e kanë të qartë se cila është situata dhe sigurisht që janë pajtuar me këtë vendim, pasi gjendja është vërtet e vështirë në gjithë Shqipërinë. Trajneri Duro dhe skuadra e tij kanë bërë stërvitje intensive, ndërkohë që do të kenë edhe dy ditë të tjera kohë që ta përgatisin këtë transfertë shumë të rëndësishme për ecurinë e tyre.
DURO Trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro, i kontaktuar nga Sport Ekspres shprehet se shtyrja e ndeshjes është në të mirë të të dyja skuadrave: “Mendoj se është diçka normale në këtë rast që të shtyhej kjo ndeshje, duke parë kushtet atmosferike në vendin tonë dhe gjendjen e fushës, ku do të zhvillohej ndeshja me Luftëtarin. Nuk është mirë jo vetëm për ne, por për asnjë skuadër, që të luajë në një terren të rënduar, ku futbollistët vuajnë dhe mund të dëmtohen. Jemi dakord me vendimin e marrë nga sektori përkatës në FSHF dhe tani kemi mundësi të punojmë edhe dy ditë më shumë për këtë ndeshje, që për ne ka rëndësi të madhe. Problem do të ishte, nëse do të shkonim në Gjirokastër dhe ndeshja nuk do të zhvillohej nga kushtet e fushës dhe kështu do të humbnim një ditë kot dhe do të lodheshim nga udhëtimi. Por tani është gjithçka e qartë, pra është një situatë krejtësisht normale” – theksoi trajneri i kuqezinjve, të cilët mbajnë vendin e tretë në tabelën e klasifikimit.
Vlonjatët do të stërviten edhe sot e nesër për transfertën gjirokastrite, ku u intereson vetëm fitorja, pas barazimit me Teutën në shtëpi, që mund të konsiderohet një gjysmë hapi flas, pasi Flamurtari ka lënë pikë të çmuara në fushën e tij. Trajneri Duro do të ketë të gatshëm edhe kapitenin Tomisllav Bushiç për ndeshjen e së hënës dhe ky është një lajm i mirë. Në Kupë skuadra vlonjate u paraqit mirë, duke shënuar plot 6 gola, edhe pse zbriti në fushë me lojtarët kryesisht të stolit. Një fitore e mundshme në Gjirokastër ndoshta do ta kthente Flamurtarin në vend të dytë, duke ditur që Kukësi i vendit të dytë sot luan në fushën e Skënderbeut kryesues.