Zëvendëspresidenti Artur Dadaj: Edhe nga Shkodra po të ishin, gjyqtarët e ndeshjes me Vllazninë do të gjykonin më mirë
Gëzim Beqiri
Luftëtari barazoi në fushën e tij me Vllazninë dhe drejtuesit e ekipit gjirokastrit, ashtu si për ndeshjen me Teutën, i shqetëson gjykimi. Për gjykimin e ndeshjes së fundit ka reaguar me një deklaratë zëvendëspresidenti Artur Dadaj, sipas të cilit treshja e gjyqtarëve nga Fushë-Kruja, me kryesor Blerim Zirin, ndikoi në rezultat. ”Kërkova dy ditë më parë përmes medies gjykim të drejtë të ndeshjes, duke marrë shkas nga penalizimi në ndeshjen me Teutën. Ndodhi përsëri e njëjta gjë. Janë disa raste, kur vendimet merreshin në disfavorin tonë, sidomos ndërhyrjet ndaj Bregut, rasti i pengimit të Lamçes nga portieri shkodran në fundin e ndeshjes. Gjyqtari, siç duket qartë nga pamjet filmike, bëri gati dorën drejt pikës së penalltisë, por asistenti nuk i ka bërë shenjë për penallti. Tani po e marr vesh që për penalltitë vendos asistenti. Do kishin gjykuar më drejt, po të ishin arbitra nga Shkodra. Gabuan edhe delegati i FSHF-së, bashkë me vëzhguesin, që u larguan nga stadiumi sapo përfundoi ndeshja. Me rregullore duhet të largohen të fundit nga stadiumit. Ka konflikt interesi, sepse luan Vllaznia në Gjirokastër dhe delegati vjen nga Shkodra. Vëzhguesi Uvil Zajmi largohet pa u futur ende gjyqtarët në dhomat e tyre, duke marrë në makinë një pjesë të stafit shkodran. Janë fakte, që më bëjnë të dyshoj se si edhe një vit më parë, kur ishim më të penalizuarit, do të na ndodhë edhe këtë vit. Nëse ka ndonjë paravendosje se kush duhet të dalë nga Superliga, le të na e thonë dhe të mos investojmë. Me Vllazninë nuk pati asnjë fjalë ofenduese ndaj askujt, asnjë sharje për këdo, por kjo nuk do të thotë që ata që gjykojnë të përfitojnë nga kjo sjellje. Do të paraqitem nesër (sot) në FSHF për të kërkuar drejtësi, sepse është fillimi dhe në tre takimet e para jemi penalizuar dy herë”, – deklaroi zv.presidenti i Luftëtarit, Artur Dadaj.
EKIPI – Luftëtari ka filluar që dje stërvitjen, pasi stafi ka vërejtur mangësi, që duhet të evitohen në takimet e ardhshme. Veprimet taktike duket se nuk po funksionojnë mirë dhe kjo u pa qartë ndaj Vllaznisë. Pati pak fantazi në lojë dhe shumë skema taktike dështuan që në fillesë. Në mesjavë luhet ndaj Elbasanit për Kupën e Shqipërisë, ku turi konsiderohet i kaluar, por, pavarësisht kësaj, do të luhet me formacionin më të mirë. Do të jetë edhe një ndeshje kontrolli para transfertës me Flamurtarin.