Një gol i Kasës në fund u dha fitoren gjirokastritëve, të cilët luajtën me formacionin e dytë. Ndaj ballshiotëve luajnë titullarët
Luftëtari 1–0 Tomori
Shënues: Kasa 85’
Luftëtari: Ruçi, Çunaj, Nasif, Janku, Zguro, Puci, Zogaj, Hoxha, Ramadani, Toledo, Ahmetaj. U aktivizuan edhe Biraçi, Gaba, Zijai dhe Kasa. Trajner: D.Fernandez.
Tomori: Kaloshi, Daci, Bitri, Paja, Çaço, Myzyri, Ajdinaj, Koleci, Mirani, Kopaçi, Onu. U aktivizuan edhe Mahmutaj, Haxhi, Mersini, Xherimeja, Drabo, Sharavolli. Trajner: S.Dule.
Gjyqtarë: K.Hoxha, M.Memisha, N.Maça
Karton i verdhë: Daci 85’
Luftëtari zhvilloi një tjetër miqësore me të njëjtin formacion si ndaj Verias në Greqi, duke aktivizuar shumë futbollistë të rinj. Pjesa e parë u dominua nga beratasit, të cilët e kanë filluar fazën përgatitore më shpejt se Luftëtari dhe kjo u pa në qarkullimin e saktë të topit. Gjirokastritët gabuan shumë në pasime, pasi nuk e njohin mjaftueshëm lojën e njëri-tjetrit. Luftëtari iu afrua golit me Zogajn, i cili gaboi në gjuajtje, ndërkohë që beratasit krijuan më shumë raste, ku më flagrant ishte ai i Miranit në fundin e pjesës së parë.
Pjesa e dytë ishte me e mirë për gjirokastritët, të cilët e balancuan lojën dhe më pas ishin superiorë në veprimet sulmuese. Aktivizimi i disa të rinjve, sidomos i Zijait, e gjallëroi më shumë lojën dhe e bëri atë më sulmuese. Afër fundit të ndeshjes, Kasa përfitoi nga një pakujdes e portierit Kaloshi dhe shënoi golin e vetëm të ndeshjes. Sot Luftëtari do të zhvillojë një tjetër takim miqësor ndaj Bylisit, por me një formacion ndryshe. Ndërkohë që luhej ndaj Tomorit me formacionin e dytë, grupi i futbollistëve, që për momentin konsiderohen titullarë, vazhduan stërvitjen nën drejtimin e trajnerit Luis Curbelo dhe përgatitësit atletik Kostas Koltsidas. Bylisi është ndeshja e fundit testuese për Luftëtarin, pasi të shtunën e ardhshme fillon kampionati dhe duhet shfrytëzuar në maksimum koha e mbetur për të qenë gati.