Luftëtar “i çmendur”, tashmë i katërti!

0

Një gol nga Donald Rapo në minutën e 69-të ka mjaftuar që Luftëtari të marrë 3 pikë të tjera me peshë të rëndë, duke fituar sot 1-0 ndaj Kamzës.

Një finale e vogël, ku fituesi do të futej fuqishëm në garë për Europën dhe duket se është Luftëtari skuadra për t’u pasur kujdes.

Gjirokastritët dominuan, krijuan lojë e raste, por golin e gjetën pa dashje, sepse nj gjuajtje pa pretendime nga Rapo përfundoi në rrjetë, me portierin Gjonikaj që nuk e kontrolloi si duhej topin. I pafat portieri mik, sepse në pjesën e parë kishte pritur gjuajtje shumë të vështira.

Pas golit Kamza nuk është se ngriti kokë, sepse pak nga pak u dorëzua, ndërsa Luftëtari në minutat e fundit doli në lojën e vet, duke pasur disa raste të arta në kundërsulm, por Bregu fali shumë, tepër.

Kategoria Superiore – Java 23

E hënë, më 5 mars 2018, ora 14:00

Luftëtari – Kamza        1-0

Shënues: Rapo 69′

Luftëtari: Ruçi, Liçaj, Jakovjevic, Beqiri, Xhekson (Demo 61′), Rapo (Minga 85′), Ramadani, Rroca, Bregu, Abazaj, Lamçja (Aleksi 55′). Trajner: Hasan Lika

Kamza: Gjonikaj, Kuqi, Çukoviç (Mumajesi 73′), Frashëri, Zguro, Bruno Arrabal, Lelis, Mehmeti (Imeri 62′), Fukui, Fili (Rezi 67′), Plaku. Trajner: Ramadan Ndreu

Kartonë të verdhë: Rapo 25′, Aleksi 73′, Liçaj 88′, Ruçi 90’+3 / Zguro 18′, Bruno Arrabal 45’+3, Fukui 58′, Çukoviç 70′, Kuqi 79′

Gjyqtar: Kreshnik Cjapi

EPISODET

5′ Bregu depërton bukur në qendër, godet fort me të djathtën, por grushton bukur Gjonikaj. Rreziku i parë në portën e Kamzës.

9′ Sërish Bregu, shumë aktiv, godet fort nga distanca, pret Gjonikaj.

17′ Luftëtari shumë pranë golit. Ramadani godet fuqishëm nga jashtë zone, një predhë që shkund traversën dhe topi kthehet në fushë.

27′ Edhe Kamza ka një rast ideal, i pari i ndeshjes. Një kros nga e djathta gjen të vetëm në zonë Plakun, i cili me kokë gjuan keq dhe jashtë. Vendosje mjaft e gabuar e mbrojtjes gjirokastrite.

31′ Super rast për Luftëtarin. Xhekson, në pozicion të prirët brenda zone, gjuan fort, por grushton në mënyrë fantastike Gjonikaj.

34′ Luftëtari gjen golin me Abazajn, por anësori kishte ngritur flamurin për pozicion jashtë loje. Milimetrik pozicioni i sulmuesit të Luftëtarit!

69′ GOL LUFTËTARI! Kur dukej se energjitë po mbaronin, Luftëtari shënon, me shumë fat. Rapo tenton nga distanca, gjuajtje e dobët, qendrore, por Gjonikaj gabon rëndë. Portieri, ndër më të mirët te Kamza sot, nuk e kontrolloi dot topin, që i kaloi mes këmbëve!

75′ Kamza tenton, por Plaku godet me kokë jashtë, pas krosit nga Zguro.

83′ Dejvi Bregu shpërdoron rastin e artë për të mbyllur ndeshjen. Në kundërsulm, vlonjati futet në zonë, shmang një mbrojtës dhe gjuan fort, por topi shkon jashtë. Dëshpërim për Bregun, nervozizëm te Abazaj, që ishte i vetëm në qendër të zonës!

90’+4 Bregu humbet sërish rast të pastër, i vetëm me portierin gjuan mbi traversë!

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.