Luçi: Vllaznia nuk rrezikon, e ka vendin në Superiore

Ish-futbollisti dhe ish-trajneri i skuadrës shkodrane, Roland Luçi, analizon ndeshjen me Kamzën dhe atë çfarë mund të arrihet në këtë sezon

Gaspër Marku

I ardhur nga Austria, ku jeton prej vitesh, ish-futbollisti i Vllaznisë dhe i Kombëtares, por edhe ish-trajneri i shkodranëve, Roland Luçi, të shtunën ishte i pranishëm në stadiumin “Loro Boriçi”. Ndoqi nga afër ndeshjen Vllaznia-Kamza dhe pas përfundimit të saj është munduar t’i bëjë një analizë lojës së skuadrës shkodrane. Luçi u shpreh i kënaqur nga paraqitja e Vllaznisë dhe theksoi se kuqeblutë nuk kanë ekip për të zbritur nga Superiorja.
– Luçi, kishit kohë që i mungonit “Loro Boriçit”. Ishit rastësisht, apo udhëtim i posaçëm nga Austria për të ndjekur Vllazninë?
– Jo, dua të jem i sinqertë që nuk kam ardhur posaçërisht për të parë ndeshjen me Kamzën, por duke qenë në Shkodër, do të ishte mëkat të mos isha prezent në stadium, për të shijuar këtë ndeshje. Dola i kënaqur nga stadiumi, me thënë të drejtën. E kam pasur përshtypjen dhe e kam përforcuar javën e kaluar, kur luajti Vllaznia me Tiranën se Vllaznia, pavarësisht se u eliminua, ka një skuadër të mirë. Edhe ndeshjen me Kamzën e tregoi një gjë të tillë. Shkurt duhet them se Vllaznia nuk është ekip, që duhet të bjerë nga kategoria, ky është mendimi im.
– Konkretisht, çfarë mund të na thoni për lojën e Vllaznisë ndaj Kamzës?
– Po, ishte lojë pa pika kulmore futbollistike, por pesë gola të shënuar, raste të tjera kishte, si dhe një penallti e humbur. Kjo do të thotë se ishte një futboll i pranueshëm, futboll i bukur. Vllaznia u paraqit vërtet mirë, nëse marrim parasysh edhe faktin që Kamza ka më shumë pikë. Jo vetëm që nuk kishte diferenca në fushë, por në një farë mënyre Vllaznia u tregua një ekip më i pjekur deri sa fitoi edhe ndeshjen. Them se ishte fitore e merituar, sepse nuk kishte asgjë që të influenconte artificialisht në fitoren e saj. Pavarësisht se futbolli kështu e ka, ka disa rregulla: kur nuk e bën penalltinë, do të pësosh gol. Ua thashë shokëve që po ndiqnim ndeshjen dhe isha i sigurt se Kamza do të pësonte.
– Çfarë i ka munguar Vllaznisë, sipas jush, që ndodhet në të tilla situata?
– Është e vështirë me kaq pak sa unë e kam parë Vllazninë në këtë sezon, të jap një mendim të pjekur. Nur e di saktësisht çfarë të them, por mendoj se Vllaznia është një ekip mesatar dhe duhet të jetë patjetër në elitën e futbollit shqiptar. Këtë e them me bindje dhe duhet të jetë kështu. Nuk është puna se Vllaznia është ekipi më i vjetër, jo tradita, lojtarët që i ka dhënë ekipit kombëtar, futbollit shqiptar etj, por sepse është ekip i plotë. Kështu nuk janë Kamza, për shembull, ose Kukësi apo dikush tjetër. Vllaznia ka një akademi të plotë, ka një traditë të jashtëzakonshme dhe janë këto kritere, që duhet të përcaktojnë edhe ekzistencën e ekipeve elitare në futbollit shqiptar. Futbolli nuk është thjesht që vjen dikush, një investitor, shpenzon dhe kërkon për një, dy apo tre vjet të dalë sipër në Superiore. Nuk duhet të jetë kështu. Federata Shqiptare e Futbollit duhet të ketë kritere më strikte në përcaktimin e atyre ekipeve, që duhet të marrin pjesë në Superiore.
– Ku e shikon Luçi Vllazninë në fund të sezonit?
– Kasandrën nuk mund ta bëj(qesh). Nuk mund ta them, sepse kampionati është i gjatë. Por nuk bëhet fjalë që Vllaznia është ai ekip që duhet të bjerë nga kategoria, këtë e them me bindje.
– Po luftën sportive për titullin kampion, si e sikoni?
– Tashti, këtu nuk ka shumë vend për profeci, si të thuash. Skënderbeu aktualisht ka disa vite që është ekipi më i mirë shqiptar, pavarësisht se në futboll një minikrizë mund të kalojë dhe mund të ketë edhe pasoja, në rastin konkret edhe për Korçën. Por kjo ama hyn në rastet e jashtëzakonshme. Praktikisht, Skënderbeu është ekipi më mirë, është ekipi që duhet të dalë kampion në Shqipëri.
– Keni nostalgji për “Loro Boriçin”? Keni luajtur në këtë stadium, por tashmë gjeni një ambient krejt tjetër…
– Patjetër, ky është një ambient krejt tjetër dhe nuk ka lidhje fare me “Loro Boriçin” e dikurshëm. Një ambient i bukur pa diskutim, megjithëse kam pasur mendimin tim për stadiumin, që duhej të ishte një stadium i pastër futbolli. Atmosfera duhej të ndikonte në mënyrë maksimale tek aktorët në fushë. Është një stadium olimpik, një nga impiantet më të bukur të futbollit në Shqipëri.

Somario
Dola i kënaqur nga stadiumi, me thënë të drejtën. E kam pasur përshtypjen dhe e kam përforcuar javën e kaluar, kur luajti Vllaznia me Tiranën se Vllaznia, pavarësisht se u eliminua, ka një skuadër të mirë. Edhe ndeshjen me Kamzën e tregoi një gjë të tillë. Shkurt duhet them se Vllaznia nuk është ekip, që duhet të bjerë nga kategoria, ky është mendimi im.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *