Mario Baloteli është një nga ata lojtarë që përfundon gjithnjë në faqet e para të gazetave dhe kjo jo vetëm për atë çfarë prodhon në fushën e lojës. Sjellja e tij ka qenë gjithnjë një qendër të vëmendjes, duke ndikuar gjithashtu edhe në karrierën e tij. Talenti nuk i mungonte aspak, por profesionalizmi dhe puna po, shumë madje.
Megjithatë ish-shoku i tij i skuadrës te Mançester Siti sjell një tjetër version të sulmuesit italian. Mikah Riçards ka folur për “BBC”, ku flet për Mario Balotelin, të cilin e cilëson si një person inteligjent, që është edhe pjesa të cilën të tjerët nuk e njohin. Riçards e justifikon sjelljen e 30-vjeçarit me faktin se që në moshë fare të re fitonte milionat dhe se ishte gjithnjë në syrin e aparateve fotografike të paparacëve, Madje kjo gjë ka sjellë edhe rrallimin e vizitave në shtëpinë e tij në kohën kur dyshja luantë për “qytetarët”, pasi në atë mënyrë do të shkatërrohej edhe jeta e tij sikurse ndodhi me Balotelin.
“Baloteli luante palaçon e klasës, por kishte një anë tjetër të tijën që jo çdokush e njeh… Ai nuk është një idiot. Është inteligjent dhe ajo çfarë shpesh harrohet është se ai është gjithashtu edhe një lojtar brilant. Është një turp i vërtetë që karriera e tij nuk ka arritur lartësitë që duhej të kapte në këto vite të fundit. Në moshën 30-vjeçare, ai duhet të ishte në formacion të parë. Përkundrai, tashmë është një lojtar i lirë prej muajsh.
Po, ai ka bërë disa gabime, por duhet të kujtoni se ishte një fëmijë që bëri shumë para dhe jetonte në syrin e publikut. Kur jetonte në qendër të Mançesterit, kishte fotograf që e prisnin jashtë apartamentit të tij. Çdo gjë që bënte vëzhgohej dhe unë nisa të kuptoja se Baloteli nuk mund të vinte në shtëpinë time aq shpesh sa bënte, sepse paparacët dhe gjithë të tjerët do e dinin ku ishte dhe jeta ime do të shkatërrohej në të njëjtën mënyrë”, ka thënë Mikah Riçards./Halit Delibashi-Sport Ekspres/