“Luajmë, krijojmë raste dhe në fund pësojmë golin”, Martini ndjen keqardhje për golat e pësuar: Kisha frikë edhe në sekondat e fundit

Mbrëmjen e sotme janë luajtur dy ndeshjet e fundit të javës së 6 të “Abissnet Superiore”-s. Kjo e javë e kampionatit elitar shqiptar është mbyllur me dy barazime. Egnatia është ndalur në “Elbasan Arena” nga Elbasani. Ndeshja ka përfunduar me shifrat 0-0, teksa asnjë prej ekipeve nuk mundi të gjente rrugën e rrjetës.

Ndërkohë Teuta dhe Dinamo janë larguar nga “Niko Dovana” me një barazim 1-1. Dinamovitët ishin të parët që gjetën rrugën e rrjetës me anë të Zabërgjës, i cili shënoi në minutën e fundit të pjesës së parë. Ndërkohë Teuta ktheu sërish baraspeshën me anë të golit të shënuar nga Torraj në minutën e 65. Me këtë barazim, Dinamo shkon 5 pikë larg kreut, ndërsa Teuta gjendet pas “nëndetëses” me një pikë më pak. Pas përfundimit të ndeshjes, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Super Gol” në “RTSH”.

Martini (Teuta): “Duhet të ruajmë përqendrimin në momente deçizive. Luajmë, prodhojmë raste, dhe në fund pësojmë golin. Kisha frikë edhe në sekondat e fundit. Duhet të jemi më të qetë dhe të shënojmë gola. Më vjen keq, sepse një herë vjen Dinamo në portë dhe na shënon. Aty duhet të kemi më tepër karakter, personalitet, që asnjë ekip të mos na shënojë aq lehtë. Kam besim te ekipi që mund të shkojë lart”.

Daja (Dinamo): “Ndoshta në pjesën e fazës së sulmit kemi probleme. Por përsëri rastet krijohen. Më ato raste që kishim, qoftë me Zëbërgjën, qoftë me Bregun, mund ta dyfishonim rezultatin. Por edhe mund të pësonim. Do të na ndihmojë ndërprerja për Kombëtaren pas dy javëve. E kishim parë Teutën dhe e dinim ku ishin hapësirat që duhet të merrnim. I kemi punuar gjatë gjithë javës edhe ndërrimet e vendeve. Por kjo do kohën e vetë. Ajo që shoh është se vjen një minutazh dhe nuk kemi të njëjtën freski. Kjo jo për faktin se gjendja jonë fizike është më e dobët se e ekipeve të tjera, por sepse humbja e topit në fazën sulmuese na konsumon shumë energji. Atë ardhje të Zabërgjas do ta përktheja që ne duhet të funksionojmë të gjithë si grup, edhe bankina, edhe lojtarët që janë në fushë”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/