Enis Cokaj është një prej legjionarëve shqiptarë më në formë të momentit, ndërsa te Lokomotiva e Zagrebit po shkëlqen prej shumë ndeshjeve. Muskuj, kilometra të gjitha që përshkrohen prej tij, shpirt gare, aksione të ndërtuara me nuhatje të madhe dhe gjuajtje të rrezikshme që vendosin në vështirësi portierët kundërshtar.
Padyshim që brenda pak kohësh vendi i Amir Abrashit do t’i përkasë këtij mesfushori. Gjithmonë e kemi bërë këtë krahasim mes tyre, pasi flasim thuajse për të njëjtën cilësi mes futbollistëve, me Abrashin e dikurshëm që ishte “motori” i Kombëtares në atë kualifikim në Europianin e Francës. Në një intervistë për “Fansat e futbollit shqiptar”, Enis Cokaj tregon edhe idhullin e vetëm që ka nga Shqipëria, Lorik Canën.
“Huazimi tek një ekip si Laci ishte eksperienca më e mirë e mundshme që mund te merrja në kampionatin shqiptar. Falë kësaj eksperience arrita të fitoj edhe vendin e titullarit tek Lokomotiva Zagreb. Laci është një ekip me disiplinë dhe strukturë të mirë organizuar. Dua të gjej rastin te falenderoj edhe njëherë stafin drejtues dhe presidentin.
Për sa i përket Besnik Prengës dua të them se nëse jam këtu, është edhe falë tij, prandaj do i jem gjithmonë mirënjohës. Pastaj Kombëtarja është ndjenjë e veçantë për mua. Kur vesh fanellën e Kombëtares ndjehem tjetër njeri dhe ndjej dyfish përgjegjësi. Kam zhvilluar pak ndeshje me U-21, si dhe kam qenë në listën e pritjes së Kombëtares A. Por detyra ime është vetëm punë, punë, punë dhe durim…besoj se do vij edhe mundësia ime që ta realizoj ëndrrën time, që të përfaqësoj kombin tim.
Krahasimi me Abrashin? E kam dëgjuar shpesh (qesh), ndoshta për shkakun e shpirtit luftarak dhe stilit të lojës. Më pëlqen kur e dëgjoj, por ende herët të bësh krahasime të tilla. Për mua do të ishte nder ta zëvendësoja Abrashin. Idhulli im te Kombëtarja ka vetëm një emër, do të ngelet gjithmonë Lorik Cana. Grinta e tij, shpirti luftarak, ndjenja dhe emocionet që i përçonte kombit më kanë rrënqethur mishin. Një idhull për t’u ndjekur edhe nga brezat e ardhshme”, ka thënë Enis Cokaj. /Sport Ekspres/