Trajneri i Spanjës, Hulien Lopetegui, në konferencën për shtyp të dhënë sot në mbrmëje, u ndal mbi disa tema, mes tyre sidomos situata kaotike në Spanjë, me luftën për Katalonjën, por edhe me kombëtaren dhe çështjen “Pike”, për të cilin ka folur edhe më parë.
“Përballë Shqipërisë duhet të fitojmë që të shkojmë në Botëror dhe të mbyllim me sukses 1 vit e gjysmë punë. Polemikat gjatë javës na kanë frenuar? Jo, jemi përgatitur vetëm për këtë ndeshje, edhe pse na vjen keq për atë që po ndodh dhe jemi të ndjeshëm. Megjithatë, sa i përket ndeshjes, duhet të bëjmë lojën tonë të përhershme, pra të sulmojmë mirë dhe të jemi të kujdesshëm në mbrojtje. Më duket sikur vetëm ne na intereson ndeshja me Shqipërinë, duke parë atë që po ndodh. Falënderoj Alikanten për pritjen që na kanë bërë”.
Përkrah Lopeteguit ishte edhe kapiteni i Spanjës, Serxhio Ramos, i cili u ndal te përfshirja e politikës me futbollin duke e quajtur si të pavend dhe gabim. “Pres që publiku të jetë i shumtë në numërt dhe të flitet për festë dhe emocione. E gjithë kjo javë që ka qenë pak e trazuar, uroj të kthehet në qetësi. Me Pikenë kam një raport shumë të mirë. Duhet të përqendrohemi vetëm te Shqipëria dhe te asgjë tjetër. Shfrytëzoj çdo ditë me kombëtaren. Sigurisht, nëse do të kualifikohemi, do të jetë Botërori im i katërt dhe për këtë arsye jam shumë i lumtur”. Sa i përket diskutimit që mbajti edhe Mbreti i Spanjës, për të qetësuar lojtarët, ylli i Real Madridit tha se “ishte diskutim i qetë dhe që na shërben shumë. Ndihem mjaft mirë që stadiumi i Herkulesit do të jetë i mbushur plot. Ky është një mesazh pozitiv”.
Edhe David Silva, i pranishëm në konferencën për shtyp të Spanjës, kërkon që të lihen mënjanë polemikat dhe të flitet për futboll: “Presim që publiku të na mbështesë në këto ndeshjet e fundit. Luajmë për kualifikimin në Botëror. Dua të përfaqësoj Spanjën në këtë botëror. Duhet të vazhdojmë kështu si kemi bërë deri tani dhe duke konkretizuar punën tonë”.