E çuditshme por e vërtetë… Ndonjëherë, këshillat janë ato që ndryshojnë jetën tonë. Kështu ndodhi edhe për Vullnet Bashën, nëse e mbani mend. Vëllai më i vogël i Migjen Bashës, që dikur ka qenë pjesë e kombëtares së Shqipërisë me Xhani de Biazin. Pas aventurës në Spanjë, Vullneti është transferuar te Visla Krakovës në Poloni.
Ai do të jetë gati për 10 ditë, teksa u largua nga Mursia në Segunda Division të Spanjës, aty ku ka veshur fanellën edhe të skuadrës Real Saragosa. Sakaq, në të shkuarën ka luajtur në Zvicër me Sion dhe St Galenin, Lozanën dhe Ksamaksin. Basha është ende i ri, vetëm 27-vjeç. Ndërkohë, ai ka firmosur deri në 2018 me mundësi për të shtuar edhe një vit. Do të mbajë veshur fanellën me numër “20”.
Basha transferohet si i lirë, pasi i kishte përfunduar kontrata te Mursia, në Spanjë. “Pse zgjidha Vislën? Në fakt, im vëlla, Migjeni, sapo më kërkuan në Poloni, pyeti ish shokun e tij te Torinos, Kamil Glik, që i tha se duhet të pranoja Vislën. Kështu bëra, pasi fola edhe me Migjenin, që është më i madh se unë”, rrëfeu Basha për mediet polake. Basha ka debutuar me kombëtaren në miqësoren ndaj Armenisë, më 14 gusht 2013, duke u futur në minutën e 76-të.