Këmbët e rënduara të futbollistëve mund të çlodhen sot. Trajneri italian ndryshon strategjinë, risjell Rubion në kujtesë
Trajneri Mark Juliano dhe stafi i tij kanë aplikuar një program mjaft të fortë për skuadrën e kuqe. Që nga faza përgatitore në Itali dhe duke vazhduar edhe me stërvitjet në Kamzë, italiani po ngarkon futbollistët e tij thuajse me 2 orë në ditë. Diçka e tillë ka ngarkuar lojtarët që ndjejnë ngarkesa në këmbë. Tekniku, duke qenë i vetëdijshëm për këtë “problem”, ka vendosur që dita e sotme të jetë pushim absolut me të kuqtë që kanë mundësinë të rikuperojnë energjitë e humbura dhe të rifitojnë freskinë e duhur për ndeshjen ndaj Laçit. Sipas të gjitha gjasave edhe ditët e ardhshme do të jenë më një ngarkesë të lehtë për të qenë në formën maksimale për ndeshjen e së dielës.
Metoda e Mark Julianos nuk aplikohet për herë të parë në Shqipëri, pasi edhe ish-trajneri i Tiranës dhe Flamurtarit Hulian Rubio bënte të njëjtën gjë me skuadrat që drejtonte.
PUSHIMI – Nëse me trajnerin Sulejman Starova e mërkura ishte ndeshja e kontrollit për të vendosur edhe pikat mbi “i” në formacion, ndryshe është strategjia e trajnerit aktual Mark Juliano. Italiani ka vendosur të pushojë ekipin ditën e sotme. Lajmi është bërë i ditur nga zyra për shtyp e klubit të kuq. Juliano ka menduar të pushojë ekipin, pasi ngarkesa e marrë gjatë këtyre ditëve ka qenë mjaft e madhe që nga faza përgatitore në Itali, por edhe me kthimin në Shqipëri. Futbollistët janë të ngarkuar në këmbë dhe duhet të çlodhen për të qenë të freskët në ndeshjen e së dielës ndaj Laçit. Një taktikë e tillë e pushimit para ndeshjes të sjell në memorie trajnerin argjentinas Hulian Rubio. Ish-tekniku i Tiranës dhe Flamurtarit përdoret një taktikë të tillë 2-3 ditë para ndeshjes akordonte pushim absolut për skuadrën. Të shohim dhe të presim nëse diçka e tillë do të jetë pozitive dhe do të merret rezultati maksimal ditën e diel.