Pas 5 fitoreve në kampionat, Barcelona është mposhtur në Ligën e Kampionëve nga Monako me rezultatin 2-1. Katalanasit luajtën me 10 lojtarë që nga minuta e 10, kur Garsia u ndëshkua me karton të kuq. Hansi Flik ka komentuar humbjen e tij të parë në stolin e Barcelonës. Ai ka treguar se i ka kërkuar futbollistëve të qendrojnë me kokën lart, ndërsa thekson se kartoni i kuq e tjetërsoi tërësisht lojën për ekipin e tij.
“U mbrojtëm me shumë pasion. Kartoni i kuq e ndryshoi tërësisht lojën. Lojtarët ishin të zhgënjyer në dhomën e zhveshjes dhe i kërkova që ta mbanin kokën lart. Të gjithë japin më të mirën në këtë moment dhe jam krenar me këtë ekip. Kur fiton 5 ndeshje dhe humb 1, atëherë mendon se nuk është ndeshja më e mirë. Në fund pashë shumë gjëra pozitive dhe na duhet të mendojmë në të njëjtën mënyrë për ndeshjen e radhës në La Liga. Duhet ta pranojmë atë çfarë ndodhi. Kemi më shumë ndeshje në Ligën e Kampionëve për të arritut objektivin tonë”, ka deklaruar Hansi Flik./Halit Delibashi-Sport Ekspres/