Kur do niste pjesa e dytë e sfidës mes Rusisë e Kroacisë para pak ditësh, në Fisht Stadium,kamerat u përqendruan te lojtarët që po dilnin nga tuneli drejt fushës dhe shumë shikues mbetën të hapur: Çfarë po bëjnë futbollistët rusë?
Aleksandër Golovin dhe lojtarë të tjerë shiheshin duke mbajtur dorën te hunda, ku qartësisht po nuhatnin diçka.
Diçka e tillë ishte parë edhe në fitoren e bujshme me penallti kundër Spanjës, edhe në fushë, kur u krye një zëvendësim, me Vladimir Granat që bëhej gati të futej dhe mori një objekt që e mbajti te hunda për disa momente.
Natyrisht, është absurde të mendosh që lojtarët rusë do bënin kaq hapur diçka të ndaluar. Gjithsesi, pamja ishte befasuese për shikuesit.
Një zëdhënës i Federatës Ruse sqaroi se bëhej fjalë për topa të vegjël pambuku të zhytur në amoniak, substancë që nuk ndalohet nga Agjencia Antidoping, por që ka efekte pozitive për stimulimin e frymëmarrjes dhe ndihmon në pasurimin e gjakut me oksigjen.
“Nuk ka pse të krijohet gjithë kjo zhurmë, është një veprim normal, ashtu si të bërit dush apo të pirit ujë”, deklaroi zyrtari rus, dukshëm i acaruar me pyetjet që sa vijnë e shtohen.
Në fakt, Rusia ka vite që është nën akuzë për të ashtuquajturin “doping shtetëror”, ndërkohë që pretendimi se përdorimi i amoniakut është diçka po aq normale sa të pirit ujë tregon qartë se shumë gjëra nuk shkojnë, përderisa në Rusi këto gjëra trajtohen si veprime të jetës së përditshme të një sportisti.
Ndërkaq, Rusia shkoi në çerekfinale, eliminoi Spanjën duke vrapuar 146 kilometra, 9 më shumë se Spanja. Golovin ishte për rekord, vrapoi rreth 16 kilometra, pa ndjerë asnjë shqetësim dhe duke përballuar edhe 120 minuta të tjera ndaj Kroacisë, ashtu si gjithë shokët e tij.
Kujtoni që Kroacia në shtesa kishte 2-3 lojtarë që nuk vraponin dot më nga lodhja fizike, ndërsa Rusia vrapoi pa fund derisa barazoi. Disa lojtarë rusë ishin matanë të 30-tave, Ignasheviç mbush 39 vjeç pas pak ditësh dhe sapo la futbollin, në një kohë që dukej si një djalosh 25-vjeçar. Gjithçka normale?