Skënderbeu ka arritur që të fitojë finalen e mbijetesës kundër Bylisit në shifrat 2-1. Nëse korçarët do të humbisnin në këtë përballje, atëherë do të ishin me një këmbë në Kategorinë e Parë. Miqtë kaluan të parët në avantazh me Desancic pas kombinimeve të bukura mes lojtarëve. Por brenda dy minutash korçarët përmbysën gjithçka falë golit të Vangjelit dhe Berishës.
Në shifrat 2-1 do të mbyllej pjesa e parë që njëkohësisht vendosi edhe historikun e 90 minutave. Nga krahu tjetër surpriza e madhe ka ardhur në ndeshjen Apolonia-Kastrioti. “I mbyturi, të mbyt”! Kjo shprehje shkon më së miri për krutanët që janë mundur nga skuadra që cilësohet si e Kategorisë së Parë dhe që ka shumë pak shpresa mbijetesë. Dopieta e Mario Gjatës vendosi ndeshjen, ndërsa Daci vetëm sa do të ngushtonte diferencat. Më poshtë gjeni edhe intervistat e protagonistëve për “Supersport”:
Memelli (Skënderbeu): “Edhe pas pësimit të golit të parë, ekipi gjeti forcat dhe energjitë që të kthente rezultatin. Pretendimet e Bylisit? Kemi edhe ne një rast për penallti te Mensah. E dëgjova Dovedanin që u ankua, është në të drejtën e vet. Por nëse heqim vija paralele, atëherë duhej të na jepej edhe ne penalltia. Ka edhe nga këto raste që jemi dëmtuar ne. Për nga performanca lojtarët e Skënderbeut meritojnë 10 me yll dhe jam krenar për ta. Ajo që kam parë në sytë e tyre është koshienca dhe revolta për të ndryshuar situatën”.
Ndreu (Kastrioti): “Menduam se do të fitonim lehtë në pjesën e parë ndaj Apolonisë. Kishim punuar shumë që të mos pësonim gol. U bë shumë e vështirë dhe kemi edhe ngarkesë psikologjike. Kam dyshimet e mia edhe për disa vendime të arbitrit, megjithëse nuk mund të them se na e humbi ai ndeshjen. Sot humbëm ndeshjen kundër një Apoloni që nuk dihet se nga shkon. Prandaj në këtë fazë kërkohen lojtarë me eksperiencë. Se këto ekipe që kanë rënë nga kategoria luan pa presion dhe interes, prandaj të sjellin probleme. Çfarë ndodhi me Kastriotin? Luhatja jonë filloi që në dhjetor. Rasti i penalltisë? Turp i madh si nuk u dha. U them lojtarëve kur stërviten për penallti: “Pse stërviteni kot? Ata nuk na japin asnjë penallti. Po jepe njëherë penalltinë, pupupu, turp”.
Dovedan (Bylis): “Kemi shënuar golin e parë dhe na kanë anuluar një gol tjetër të rregullt. Ja shiheni, çfarë të them? E dinim që kështu do të ndodhte, që arbitri do të vepronte kështu. Sa herë kemi dashur ne që të fitonim ndodhin këto gabime të arbitrave”.
Kamarata (Apolonia): “Jam i lumtur me shpirtin e garës të lojtarëve dhe kështu dua që të vazhdojmë deri në fund. Jeta më ka mësuar që nëse ka edhe një shpresë të vogël, përse të mos e luash? Në pjesën e parë kemi bërë një ndeshje shumë të mirë dhe në të dytën luajti edhe kundërshtari. E thashë edhe në ndeshjen me Bylisin se duhet të japim maksimumin për veten tonë. Nëse e ndajmë në përqindje kemi vetëm 10% shans për mbijetesë. Lojtarët kanë dhënë më mirën që kur erdha unë, megjithëse ne kemi limitet tona”.