“Lojtarët e mi po shkatërrohen, nuk kam alternativa”, Deliallisi tregon si i ngriti moralin lojtarëve: Nëse vazhdojmë kështu, të mos futemi fare në fushë

Vllaznia nuk ka mundur të marrë dot tre pikët mbrëmjen e sotme. Qatip Osmani ka debutuar me një barazim 1-1 në stolin e kuqebluve. Esat Mala fitoi një 11 metërsh në minutën e 27 dhe pranë pikës së bardhë të penalltisë shkoi kapiteni Balaj. Sulmuesi shkondran nuk gabon përballë portierit të Erzenit duke e dërguar topin në rrjetë. Pjesa e parë përfundoi me epërsinë minimale të Vllaznisë.

Erzeni nuk u pajtua me humbjen dhe në minutën e 68 arrin të barazojë shifrat në 1-1. Zeka tronditi shtyllën nga distanca, por topi i kthyer pas u përplas në trupin e portierit Qarri dhe u ndal më pas në rrjetë. Pas vërshëllimës përfundimtare të arbitrit, tabela në stadiumin “Loro Boriçi” shënon 1-1, me Erzenin dhe Vllazninë që largohen me nga një pikë nga fusha e lojës. Më poshtë mund të ndiqni intervistat e trajnerëve për emisionin “Skaner Superiore“ në “MCN TV“.

Deliallisi (Erzeni): “Rezulati më i drejtë ishte barazimi. Përveç atij episodi (goli me penallti), Vllaznia nuk na rrezikoi më. Vllaznia do futej gjithçka për gjithçka për të fituar ndeshjen. Ky ishte mendimi im. E prisja që Vllaznia të kishte një tjetër intensitet. Por ndodhi ai episod (penallita) dhe loja nuk foli për ne. Në pushim të pjesës së parë u mundova t’u ngrija moralin. I thashë që nëse vazhdojmë me këto episode, atëherë i bie të mos futemi fare në fushë. Mos të harrojmë që këta lojtarë po shkatërrohen, po sakrifikohen, pasi po luajnë në 2-3 ditë. Sado që unë dua t’i ndihmoj të pushojnë, nuk mundem. Nuk kam alternativa të tjera”.

Osmani (Vllaznia): “Sigurisht që të gjithë prisnim së paku fitoren. Megjithatë, sa i përket lojës, shumë hapësira i lamë kundërshtarit. U munduam në pjesën e dytë të freskonim diçka me ndërrimet. Prapë së parë nuk ia arritëm. Mendoj që barazimi është rezultati i saktë. Ne kemi bërë dy stërvitje të lehta, taktiko-teknike. Jemi përqendruar në probleme të kaluara të ekipit. Kemi lojtarë kualitativë, të cilët janë të lënduar. Janë lojtarë me rëndësi për këtë ekip. Mendoj që këta lojtarë që luajtën sot mund të bëjnë edhe më mirë. Pres që të përmirësohemi dhe të marrim rezultate më të mira“./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *