Kombëtarja U19 do të zhvillojë një ndeshje miqësore me Maqedoninë Veriore në stadiumin “Skënderbeu” të Korçës. Takimi zhvillohet me datë 24 mars, ora 15:00. Hyrja në stadium do të jetë e lirë, kurse trajneri Nevil Dede sot ka dalë para mediave dhe ka publikuar listën.
“Kemi parë nga afër shumë lojtarë, në vendin tonë, në Itali dhe rajon, Kemi parë edhe në Angli. Është nj proces vëzhgimi lojtarësh. Kemi marrë 26 lojtarë, një numër i madh. Por ka lojtarë që janë të dyzuar të zgjedhin dhe jemi të detyruar t’i marrim para kohe”.
“Ka interesim të madh. Procesi i formimit të lojtarëve ka si qëllim furnizimi i ekipit të parë. Puna është kolosale, nga i gjithë stafi. Deri diku jemi në rrugën e duhur. Kam akoma lojtarë që nuk i kemi parë, në Gjermani, Zvicër dhe vendet nordike. Nuk kemi informacion të plotë për ta, por do i vlerësojmë”.
“Je komod kur ke lojtarë të skuadrave të mira. Vështirësia është kur duhet të zgjedhësh më të mirët. Do e quaj veten përzgjedhës të mirë nëse marr më të mirët dhe marr maksimumin në ndeshje. Janë lojtarë për të ardhmen. Duhet të gabojmë sa më pak dhe të sjellim sa më shumë lojtarë cilësorë”.
“Gjëja kryesore është që ne të mundohemi të shohim sa më mirë lojtarët e kampionatit tonë. Kanë prioritet lojtarët shqiptarë, përveç rasteve kur ata që luajnë jashtë janë më të mirë. E mira është të kemi nga kampionati ynë. Kemi 6-7 lojtarë, do ketë edhe të tjerë në vazhdim. Ndeshjen tjetër mund të ketë të tjerë. Gjykoj që lista jonë përfundimtar do jetë në nëntor, kur të kemi aktivitetin zyrtar. Po mendojmë të formojmë ekipin. Nuk them se nuk kam gabuar, mundohem të gaboj sa më pak”.
“Lojtarët që kanë ardhur nga Anglia erdhën në Shqipëri t’i shihnim nga afër. Jemi të kënaqur prej tyre. Nuk do të thotë se një sulmues i Çelsit apo i Bajernit janë të avantazhuar. Prengaj e Muçi mund t’i parakalojnë me kalimin e kohës”.
“Gilberto Gega i AEK? Kemi datëlindje 2001 kryesisht. Diferenca është e madhe. Ai është në listat tona. Janë shumë lojtarë për t’u parë. Në prill do shohim nga afër sërish lojtarë. Ka mbi 60 lojtarë që duhen parë. Do kemi turne miqësor dhe gradualisht bëhet seleksionimi edhe për ata që do vijnë sezonin e ardhshëm”.
“Zgjedhjet janë personale. Të marrësh rezultate dhe të mos çosh lojtarë, ose anasjelltas. Optimalja është të marrim rezultate dhe të çojmë lojtarë te kombëtarja. Shpresoj që këta lojtarë të zhvillohen sa më shumë dhe të ecin përpara”.