Pas Luiza Gegës, që fitoi medaljen e artë në garën e 3,000 metrave me pengesa në atletikë, Shqipëria fiton edhe medaljen e dytë në Lojërat Mesadhetare, “Tarragona 2018”. Boksieri Krenar Zeneli fitoi argjendin në konkurrimin deri në 56 kg në boks.
Djaloshi nga Shkodra arriti deri në finalen e turneut, por aty u frenua nga kundërshtari Disserio. Dueli mjaft i rivalizuar në ring shpërbleu boksierin italian, që pas vendimit të gjyqtarëve fitoi me rezultatin unanin 30-27 me pikë.
Falë paraqitjes së Krenar Zenelit, flamuri shqiptar u ngjit për herë të dytë në Lojërat Mesdhetare që po zhvillohen në Spanjë, ndërsa boksieri u shfaq mjaft i emocionuar në podium. Në këtë mënyrë, Shqipëria e mbyll pjesëmarrjen në “Tarragona 2018” me medaljen e artë të Luiza Gegës dhe argjendin e bokserit Zeneli, edhe sepse rekordmeni shqiptar i kërcimit së gjati, Izmir Smajlaj e mbylli konkurrimin në vendin e katërt, me kërcimin 7,85 metra.