Gjysma e parë e sezonit 2018-2019 në Kategorinë e Parë u mbyll me 14 javë kampionat, dhe veç rezultateve të shënuara në 140 ndeshje, ky vit në këtë kategori nuk harroi edhe bankinat. Sepse në shtatë skuadra u ndryshuan trajnerët, dhe këtu nuk është fjala vetëm për numrin, por për fenomenin. Kësisoj, veç lojës në fushë është luajtur dobët edhe në pankina, ku të larguarit duken sikur me sforco pranojnë të dorëhiqen.
Stavri Nica te Burreli, Ndriçim Kashami te Besëlidhja, Alert Alcani te Shënkolli, Gersi Arbri te Tomori, Mariol Miho te Apolonia dhe më pas Bledar Devolli te Tomori, të gjithë këta janë larguar nga skuadrat me pretendimin e dorëheqjes, ku togfjalëshi më i përdoruar kanë qenë futbollistët për lojë të dobët, apo edhe për dalje nga kursi i tyre.
Duke e parë si një tregues negativ largimin e trajnerëve në fillim e në mes të sezonit, së pari duhet thënë se në bankinat e Kategorisë së Parë ka informalitet. Trajnerët punojnë pa kontrata pune, punojnë pa plane afatshkurtër, afatmesëm apo afatgjatë, dhe vetëm me çfarë t’u të dalë përpara. Në të shumtën e rasteve të këtyre largimeve, presidentët e skuadrave janë tifozë dhe pa kulturën e duhur për këtë pozicion. Ata ndryshe e formatojnë skuadrën në fillim të sezonit dhe ndryshe i kërkojnë objektivat gjatë zhvillimit të garës.
Por në këtë dukuri ka edhe një tjetër fakt, madje edhe më i rëndë për futbollin e kësaj kategorie. Sepse të gjitha largimet apo dorëheqiet e trajnerëve, kryesisht bëhen në skuadra që financohen nga bashkitë, ose thënë më sportivisht, në skuadra që funskionojnë nën sqetullat e kryebashkiakëve.
Duke harruar misionin e zgjedhjes së tyre në krye të bashkisë, disa prej këtyre të vetëquajtur presidentë me lekët e taksapaguesve, bëjnë të parin, të zgjuarin, trajnerin dhe arbitrin, edhe pse kanë një CV jetike pa lidhje me sportin, aq më pak me futbollin që nuk ka qenë asnjëherë pjesë e tij.
Deri në fillimin e muajit shkurt 2019 kur të nisë java e 15-të, ndoshta do të kemi të tjerë emra trajnerësh të larguar apo të dorëhequr, një lojë e dobët kjo kundër lojës së vërtetë që kërkon futbolli, jo vetëm në Kategorinë e Parë.