Ylli i kombëtares së Iranit, Mehdi Taremi, ka hedhur akuza të rënda ndaj FIFA-s, duke e cilësuar organizimin e Kampionatit Botëror 2026 si një “katastrofë”. Pas barazimit dramatik 1-1 kundër Egjiptit, Taremi nuk i kurseu kritikat, duke deklaruar se ekipi i tij është ndier i sabotuar që nga fillimi i turneut.
Sipas futbollistit, vështirësitë logjistike kanë qenë të jashtëzakonshme. Irani është detyruar të qëndrojë në Tijuana të Meksikës, duke pasur pengesa të vazhdueshme për udhëtimet drejt Shteteve të Bashkuara për shkak të problemeve me vizat të stafit teknik. “Është një botëror katastrofik. FIFA nuk ka zgjidhur asnjë nga problemet tona, edhe pse na ishte premtuar ndryshe,” u shpreh ai me zhgënjim.
Kulmi i deklaratave të tij erdhi kur u pyet nëse besonte se organizatorët dëshirojnë eliminimin e Iranit. Taremi u përgjigj hapur: “Të luftosh këtu është shumë e vështirë. Nuk e di nëse njerëzit e duan këtë, por nga perspektiva jonë, po, duket sikur duan të eliminohemi.” Pavarësisht këtyre pengesave, Taremi theksoi se lojtarët vazhdojnë të luftojnë për popullin e tyre, duke kërkuar të dërgojnë një mesazh paqeje, edhe pse ndjejnë një mungesë të theksuar mbështetjeje nga organet drejtuese të futbollit botëror. /Sport Ekspres/