Ndërsa Kristiano Ronaldo është pranë finalizimit të një prej transferimeve më të bujshme dhe njëkohësisht më të befasishme, me kalimin te Juventusi, ngërçi për largimin nga Reali i Madridit lidhet me të ashtuquajturën “Loja e Fajit”.
Klubi spanjoll kërkon nga 33-vjeçari që të dalë hapur dhe të kërkojë një aventurë të re larg “Santiago Bernabeut”, si edhe të garantojë tifozët se drejtuesit e Realit nuk kanë faj për largimin e tij. Gjigandët spanjollë i tremben protestave të tifozëve dhe prishjes së imazhit të klubit, ndërsa kërkuan edhe që në rast largimi pesë herë fituesi i “Topit të Artë” ti japë personalisht lamtumirën tifozëve dhe jo nëpërmjet mesazheve video.
Ylli portugez do ti japë fund nëntë sezoneve në Madrid të shoqëruara me 15 trofe, mes të cilëve më prestigjozët janë dy tituj kampionë i Spanjës, dy Kupa të Mbretit, katër Champions dhe tre Botërore për klube. Me trajnerin e ri Julen Lopetegi, madrilenët janë gati të nisin një cikël të ri dhe për këtë arsye e kanë lejuar 33-vjeçarin të largohet. Klauzola për prishjen e kontratës së Kristiano Ronaldos ishte në vlerën një miliard euro, por klubi raportohet se ka pranuar ofertën prej 100 milionë euro nga Juventusi.