Logjika e ka krijuar diplomacinë, Ilir Daja është shumë pranë detyrës si trajneri i Partizanit!

Nga Klaudio Ndreca

“Daja, a do ta marrësh ti Partizanin?”. Ishte kjo pyetja që i’u shtrua Ilir Dajës pas ndeshjes së fundit të Skënderbeut dhe tekniku që me diplomaci do ta linte pa përgjigje, duke përsëritur edhe njëherë se do të presë vendimin e Gjykatës Federale. Disi ironike është se vetëm disa ditë më parë Partizani doli me reagim zyrtar duke e përgënjeshtruar një kalim të tillë, por e bukura e futbollit është se gjithçka ndryshon me shpejtësi.

Sormani nuk do të jetë më trajneri i Partizanit dhe këtu ndryshon gjithçka, pasi pak ditë më parë me reagimin e bërë Partizani respektoi figurën e teknikut italian që po drejtonte ekipin. Pavarësisht se nuk po pranohet zyrtarisht, logjika mund të thuhet se e mund diplomacinë në rastin konkret, ose më saktë e ka krijuar atë.

Shkëndija e Tetovës nuk do të jetë aventura e re e Dajës siç edhe u përfol pasi kuqezinjtë zgjodhën që të rinovonin me Ernest Gjokën. Nga ana tjetër është Kukësi që ka nisur diskutimet me Alban Bushin dhe Halilin që ka konfirmuar Egbon në krye të ekipit. Presidenti i Tiranës e di më së miri se një lëvizje e trajnerit fitues që do t’i sjellë titullin në rastin se nuk do të ketë surpriza, do të shkaktonte një pakënaqësi të madhe te tifozët me marrëdhënien mes tyre që është gjithmonë e lëkundur. Një rrezikim për të dalë personazh negativ kur Egbo ka fituar dashurinë e tifozëve të Tiranës nuk do t’i lejohej vetes

Për këtë arsye Egbo nuk do të lëvizet që të mos përsëritet i njëjti gabim ashtu siç ndodhi te rivalët e tjerë kryeqytetas, me Skënder Gegën. E vetmja mundësi e mbetur është Partizani dhe të kuqtë kërkojnë që pas shumë vitesh dështimi me trajnerët italian, t’i rikthehen edhe njëherë një tekniku shqiptar për të ri ngritur ekipin. “Sport Ekspres” gjithashtu ka mësuar se Ilir Bozhiqi ka nisur të ndihmojë me stërvitje Alban Hoxhën, pra me stafin e Dajës që po nis përgatitjet në një kohë që Sormani me teknikët italianë po japin lamtumirën. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *