Në Superiore sapo ka përfunduar java e parafundit, ndërsa kemi edhe një javë nga mbyllja përfundimtare e kampionatit. Një garë e madhe është ajo në fundin e renditjes, teksa Flamurtari pas barazimit të sotëm ndaj Teutës, ka shuar shpresat për një mrekulli.
Nga krahu tjetër, me fitoren e arritur ndaj Vllaznisë, 1-0, Tirana ka siguruar zyrtarisht Play Out-in, në rastin më të keq. Pra pas kësaj fitore, Tirana është e sigurt se nuk do të bie direkt nga Superiorja.
Aktualisht Tirana ndodhet në vendin e 6 me 41 pikë, e ndjekur nga Bylis me 41 pikë, Vora me 39 pikë,
Teuta e vendit të 9 me 39 pikë dhe Flamurtari i vendit të fundit me 36 pikë. Megjithatë në javën e fundit, do të kemi një ndeshje direkte mes Vorës dhe Bylisit, që i siguron Tiranës mundësinë për të qëndruar i qetë pasi në asnjë variant, nuk do të shkojë më poshtë sesa vendi i 8, që të dërgon në Play Out. Megjithatë duke parë formën aktuale të Tiranës, bardheblutë do të sigurohen përfundimisht pa shkuar deri në Play Out, teksa në ndeshjen e fundit do të përballen në transfertë me Elbasanin. /Sport Ekspres/
