Llogaritë e kualifikimit/ Kuqezinjtë si kurrë më parë, rruga për në Europë kalon nga Anglia që… ka “larë hesapet“ me kualifikimin

Vetëm një ndeshje dhe Shqipëria është gati të mësojë fatin përfundimtar në rrugëtimin për në Euro 2021. Sido që të shkojë ky 90 minutësh i fundit, pas vërshëllimës së trefishtë të gjyqtarit edhe nëse nuk do të ketë festë kualifikimi, sërish do të ndezë një ndjenjë krenarie për brezin e artë që po lulëzon në Kombëtare, të cilët luftuan deri në fund gjithçka për gjithçka. Pas fitores së sotme Shpresat e Alban Bushit kanë nisur të bëjnë llogaritë për kualifikimin në Europian dhe kurrë më parë nuk kanë qenë kaq pranë.

Në vendin e 3-të dhe me vetëm 1 pikë më pak se 21-vjeçarët e Austrisë. Në fillim të kualifikueseve diçka e tillë ndoshta nuk do të besohej, por ky ekip theu të gjitha pritshmëritë dhe e shkuan aq lart sa janë gati të prekin ëndrrën e tyre. Por rruga për në Europë kalon nga Anglia, që tashmë i ka “larë hesapet” me kualifikimin dhe ndeshjen me kuqezinjtë e luan më tepër për formalitet.

Ndëkohë në krahun tjetër Austria U21 do të ndeshet me Andorën, e cila gjithashtu ka firmosur vendin e fundit dhe arsyeja e vetme që lufton në fushë është thjesht një fitore prestigji, për ta lënë këtë garë me shije pozitive. Dy skuadra pa objektiva në fushë mbajnë të varur fatin e Austrisë dhe Shqipërisë, që do të luajnë deri në sekondën e fundit kartat e tyre.

Kuqezinjtë e vegjël kanë nevojë patjetër për një fitore në sfidën e radhës, teksa në rast barazimi duhet të shpresojnë për një humbje të bashkëmoshatarëve austriakë. Ndëkohë një fitore e këtyre të fundit do të shuante çdo ëndërr dhe shpresë të ngritur deri më tani për të besuar në renditjen e 7 më të mirave të vendeve të dyta për një biletë në Euro 2021./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *