Sulmuesi rikthehet dhe premton gol ndaj bardhebluve: Do të kemi mbështetje nga tifozët tanë që janë me Partizanin, fitojmë për ata
Bujar Balliu
Iliria e mbylli fazën e parë me një fitore në shtëpi, me një gol të sulmuesit kryesor Anton Lleshi, i cili u rikthye në takimin ndaj Tomorit pas rreth dy muajve mungesë. Sulmuesi arriti të shënojë golin e vetëm të takimit, i cili i dha tri pikët Ilirisë, e cila në shtëpi, në fazën e parë ka marrë vetëm fitore. Këtë fundjavë, në Fushë-Krujë vjen Tirana, dhe skuadra që prej ditës së hënë i ka nisur me mjaft seriozitet përgatitjet. Ky takim pritet me mjaft interes edhe nga tifozeria vendase, e cila në këtë zonë mbështet masivisht edhe ekipin e Partizanit dhe një humbje e Tiranës në “Redi Maloku” do t’i gëzonte jashtë mase. Sulmuesi Anton Lleshi, në një intervistë për “Sport Ekspres”, flet për ecurinë e deritanishme, ndeshjen ndaj Tiranës si edhe synimet që ka ekipi o tij këtë sezon.
- Pas dy muajsh mungesë u rikthyet dhe madje edhe shënuat. Si ndiheni?
Normalisht që ndihem mirë, kam pasur disa probleme, por tashmë jam rikthyer më i fortë se kurrë.
- Gol me vlerën e tri pikëve, mendoni se do shënoni shumë gola të tillë?
Me të vërtetë kam shënuar unë, por ka qenë merita e skuadrës që unë kam arritur që të shënoj. Kam besim që do të vazhdoj t’i jap tri pikësha të tjerë skuadrës…
- Cili është objektivi personal dhe ai i skuadrës?
Si skuadër kemi si objektiv fillimisht sigurimin e kategorisë, më pas nëse gjërat shkojnë mirë, të renditemi në pesë skuadrat e para të grupit. Ndërsa, personalisht synoj që të bëj paraqitje të mira në çdo ndeshje dhe të shënoj sa më shumë gola. Fiksim kam që t’i shënoj Tiranës…
- Meqë dolëm te Tirana, e nisni fazën e dytë ndaj kryeqytetasve, si vjen Iliria në këtë takim?
Ne, në fushën tonë kemi arritur katër fitore në po kaq ndeshje, kam besim se edhe ndaj Tiranës do të vazhdojmë të mbetemi të pathyeshëm, e parandiej. Për këtë takim po përgatitemi prej ditësh, skuadra është mjaft e motivuar për të marrë fitoren e radhës. Aq më tepër që edhe tifozët tanë janë dashamirës të Partizanit, ndaj edhe ne duam që t’ua shpërblejmë me një fitore bindëse edhe pse përballë kemi një ekip me traditë.